10/12/2024


La Liga e çon në qiell Muriqin me dy postime.

Vedat Muriqi po i mahnit të gjithë këtë sezon në kampionatin spanjoll.

Sulmuesi kosovar i realizoi dy gola dje në duel me Real Valladolidin në barazimin 3:3 duke e konfirmuar formën solide të këtij edicioni, shkruan Gazeta Express.

Me këtë rast, përfaqësuesi kosovar arriti në kuotën e 12 golave sezonalë, një e arritur e jashtëzakonshme kjo për të, kur kihet parasysh se ai po luan në njërën prej ligave më të forta në Evropë.

Ai e bëri një postim pas dygolëshit të regjistruar në pjesën e dytë në udhëtim dje.

Dhe, këto performanca të “Piratit” i ka përshëndetur edhe La Liga përmes faqes së vetë zyrtare në Instagram.

“12 gola, 2 asistime. Çfarë sezoni për Vedat Muriqin”, ka shkruar La Liga.

Paraprakisht, liga spanjolle e bëri edhe një postim për prizrenasin, i cili arriti në kuotën e pesë golave në vitin 2023, shkruan Gazeta Express.

“Pirati Vedat Muriqi e gjeti thesarin e tij”.

Muriqi me këtë rast po i rivalizon golashënuesit më të mirë të ligës spanjolle, ndërsa synim i tij është që ta ndihmojë Mallorcan të mbetet në ligë dhe sa më lartë të jetë e mundshme.