14/07/2024

49% e amerikanëve mendojnë se akuzat ndaj Trump janë të drejta, pjesa tjetër besojnë se kjo gjë do shtojë pëlqimin ndaj ish-presidentit

Ndjekja penale ndaj ish-presidentit Donald Trump ka ndarë amerikanët, por duket se ka rritur shanset e tij për të fituar edhe njëherë pëlqimin e republikanëve për zgjedhjet e vitit 2024.

Sipas një sondazhi të Reuters, 49% e të gjithë amerikanëve mendojnë se ishte e drejtë që prokurorët të hapin çështjen e parë penale kundër një ish-presidenti të SHBA. Sondazhi u krye pasi Trump doli përpara Gjykatës i akuzuar për 34 here shkelje, për falsifikim të të dhënave të biznesit dhe pagesave ndaj ish yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, ish modelen e Playboy si dhe rojes së Kullës së Trump.

Por këto të dhëna tregojnë edhe njëherë ndarjen politike për kaq shumë çështje që rrotullohen rreth Trump. Rreth 84% e demokratëve thanë se akuzat ishin të merituara, ndërsa rreth 40% e republikanëve u shprehën se akuzat penale që rëndojnë ndja ish presidentit amerikan do i shtyjnë ata edhe më shumë që të votojnë për Trump në 2024. 12% e tyre mendojnë se nuk do ta mbështesnin atë.

Trump edhe pas këtyre akuzave kryeson ende listën si favorit për të marrë edhe njëhërë Shtëpinë e Bardhë në 2024. Sipas sondazheve ai shihet si kandidati i preferuar i republikanëve. Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, i cili ende nuk ka hyrë në garë, renditet i dyti me 21%.

Megjithatë, republikanët mendojnë se akuzat janë për të delegjitimuar Trump përmes hetimeve të motivuara politikisht. Ndërkaq teksa kanë kaluar tre ditë, ish presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi arrestimin dhe akuzat si një përvojë të pabesueshme dhe ditën më të mirë në histori kur ai u bë i pari ish-president amerikan i akuzuar ndonjëherë për një krim.

“Aq sa mund të shijoj një ditë si e marta, ku të çmendurit e majtë radikalë më paditën dhe më arrestuan pa asnjë arsye, nuk kishte asnjë krim, ishte ndoshta dita më e mirë për dikë që sapo kishte vuajtur një aktakuzë të pajustifikuar !” ai shkroi në Truth Social.

Klan News