10/12/2024

Me rastin e vendosjes së gurthemelit të Korridorit 8, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar punë të mbarë dhe ka përgëzuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit për këtë projekt kapital.

Ahmeti në faqen e tij zyrtare në Facebook, shkruan se projekti në fjalë është kolosal për nga rëndësia, ndaj si i tillë është investimi më i madh në historinë e vendit.

Ndër të tjera, Ahmeti ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe mbështetësit ndërkombëtar për kontributin e dhënë në projektin Korridori 8.

Statusi i plotë:

Sot hapëm një kapitull të ri zhvillimi, kryefjala e të cilit është një projekt kolosal, një korridor bashkimi mes popujve dhe një shteg i ri përparimi.
Fillojmë të ndërtojmë Korridorin 8 që është padyshim investimi më i madh në historinë e vendit, misioni më madhor që po e jetësojmë duke shkurtuar distancat e qarkullimit dhe bashkëpunimit rajonal, imperativ i kohës për të qenë akoma më afër në sfidat e përbashkëta të zhvillimit dhe integrimit europian.
Uroj proces të mbarë pune dhe falënderoj të gjithë ata që kontribuan për vendosjen e kësaj ëndrre në binarët e realizimit, në veçanti Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e parezervë në të gjitha proceset e deritanishme të këtij projekti me rëndësi jetike për vendin dhe rajonin.

762351715258953