06/10/2024

Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen sot qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku do të ketë takime me krerët e shtetit si dhe pritet të ketë fjalim në Kuvend. Ajo çfarë ai theksoi nga kryeqyteti i vendit është ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nuk duhet të dramatizohen, transmeton Portalb.mk.

Takimi Van der Bellen – Pendarovski
Presidenti austriak u prit nga presidenti i vendit në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Dy presidentët zhvilluan takim sy më sy, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Temat e bisedës ishin marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, mundësitë për thellimin e tyre me theks në bashkëpunimin ekonomik, ecuria e integrimit evropian të RMV-së si dhe çështjet e hapura të Ballkanit Perëndimor dhe situata në rajonin më të gjerë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti austriak theksoi se se do të mbajë fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pikërisht në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Siç tha ai mbrojtja e pakicave në Maqedoninë e Veriut tashmë është diçka që nënkuptohet dhe se ky hap tjetër nuk duhet të dramatizohet.

“”Frustrimi për kohëzgjatjen e procesit është i kuptueshëm, por ju lutemi mos e humbisni qëllimin. Kroacia ka treguar se pritja është e mundur kur të gjitha forcat e rëndësishme politike po tërhiqen në të njëjtin drejtim. Le të punojmë së bashku për pranimin e hershëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Unë mund t’ju garantoj se Austria do të jetë në dispozicionin tuaj si një partner i besueshëm në të ardhmen”, tha Van der Bellen.

Presidenti Pendarovski theksoi se Austria është historikisht e pranishme në vendin tonë dhe në rajon, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht dhe se është një nga vendet e para evropiane që ndjen efektet e proceseve pozitive, por edhe të tendencave negative në Ballkan.

“Biseduam edhe për situatën aktuale politike dhe çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor. Austria, si një mike e dëshmuar e rajonit, ka një rol të rëndësishëm në shtyrjen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë kuadër kjo vizitë e presidentit austriak tregon edhe urgjencën e dosjes evropiane të RMV-së”, tha Pendarovski.

Presidenti austriak gjatë ditës pritet të ketë edhe takime të tjera, si ai me kryetarin e Kuvendit dhe Qeverisë të Maqedonisë së Veriut, si dhe të mbajë fjalim në Kuvend.

Përndryshe, marrëdhëniet diplomatike midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut u vendosën më 23 dhjetor 1994. Që i bie se vitin e ardhshëm dy vendet shënojnë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.