Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbock pret që kalkulimet partiake të lihen mënjanë kur të vendoset për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, rapoton DW. Sot Berbok do të udhëtojë në Shkup për takime me kreun e shtetit dhe opozitën në përpjekje për t’i dhënë shtysë ndryshimeve kushtetuese me të cilat bullgarët dhe komunitetet e tjera duhet të përfshihen në Kushtetutë, transmeton Portalb.mk.

“Vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, ashtu si partnerët tanë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Këtë e kemi treguar realisht, më së voni me fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në në korrik të vitit 2022”, tha Berbok para se të nisej për në Shkup.

Ajo thotë se pritjet e shumicës së madhe të qytetarëve në vend nuk duhet të zhgënjehen.

“Shpresat dhe pritshmëritë e mëdha që njerëzit në Maqedoninë e Veriut kanë për procesin e anëtarësimit janë për ne një mundësi dhe një rrezik në të njëjtën kohë: rrezik, sepse ne mund të humbim qytetarët e Maqedonisë për Evropën, nëse, si BE i tradhëtojmë pritshmëritë e tyre pavarësisht progresit dhe lëshimeve të dhimbshme që kanë bërë në 17 vitet e fundit. Shans, sepse të gjithë pjesëmarrësit në procesin e zgjerimit të BE-së e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë: për të ardhme në familjen evropiane, për rajon me mirëqenie dhe paqe të qëndrueshme, për vetëvendosje”.

Nga MPJ-ja gjermane, para vizitës, vlerësuan se Maqedonia e Veriut është “vend kyç” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se qëllimi kryesor i vizitës së Berbokut është zhbllokimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese. Këtë e bëri të ditur edhe Berbok në deklaratë.

Pa kalkulime politike

“Mund ta kuptoj mirë se për momentin të gjitha çështjet për identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën e dikujt po diskutohen me zemër dhe pasion në Maqedoninë e Veriut, kjo as tek ne nuk është ndryshe dhe është e natyrshme kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, si ndryshimi i Kushtetutës.

Por përvoja tregon: në situata të tilla ia vlen të lëmë mënjanë kalkulimet partiake-politike, të udhëhiqemi nga një synim i qartë dhe të luftojmë vendosmërisht në atë drejtim.

Mbështetja e gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Kushtetutës do të dërgojë sinjal jo vetëm për vetë vendin, por edhe për të gjithë rajonin: ne absolutisht dëshirojmë të hyjmë në BE dhe po bëjmë gjithçka që është e nevojshme nga ana jonë”, tha shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok para vizitës në Shkup.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier vizitoi Maqedoninë e Veriut në nëntor 2022, në kuadër të shënimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Në qershor të vitit të kaluar, kancelari Olaf Scholz bëri vizitë njëditore në vend.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *