11/02/2025

Ohri është jo vetëm destinacioni më atraktiv turistik, “deti” i Maqedonisë, por dhe një qytet ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha.

Një nga marrëveshjet historike, të rëndësishme për shqiptarët, por dhe vendin, ndodhi pikërisht në Ohër në muajt korrik dhe gusht të vitit 2001, kur qe arritur Marrëveshja Kornizë, e cila sot e kësaj dite quhet ka mbetur të quhet sipas vendit ku është arritur, “Marrëveshja e Ohrit”.

Në këtë qytet zhvillohet edhe një nga manifestimet më jetëgjata kulturore, dekada të tëra, por dhe pothuajse gjatë gjithë sezonit turistik çdo vit: Vera e Ohrit, ku zbarkojnë emra eminentë të kulturës dhe artit nga gjithë bota, duke i dhënë edhe më shumë peshë këtij qyteti me të kaluar historike për popujt tanë. Jo rastësisht, nga monumentet më interesante kulturore dhe historike, janë në Ohër: kisha, xhami, manastire… Jo rastësisht, Ohri është qytet i mbrojtur nga UNESCO.

Ohri në këtë anë, dhe Pogradeci matanë, ndajnë ujërat e njërit nga liqenet më të pastër në botë.

Një bashkëjetesë e përjetshme popujsh, religjionesh, gjuhësh dhe kulturash.

Dhe prapë këtyre ditëve, destinacioni “i fundit” i një dialogu me rëndësi për rajonin, sikur nuk është zgjedhur rastësisht të jetë këtu. Shumëkush pret që të ndodh historia dhe ngjashëm si me Marrëveshjen e Ohrit, këtu të shtunën të nënshkruhet Marrëveshja për rregullimin e marrëdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Gjithë publiku kosovar, serb, por dhe në BE Uashington, presin shumë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nuk duam të prejudikojmë, por gjithçka është e përgatitur si për ne si nikoqir, si për BE-në, si ndërmjetëse të ndihmuar nga SHBA-të, si për Kosovën e Serbinë, që 18 marsi të jetë një ditë historike që do ta mbajë përjetë vulën e qytetit të Ohrit.

Për shkak të rëndësisë së madhe, ne si redaksi e portalit do ta përcjellim me vëmendje këtë takim, ashtu siç e meriton, prandaj që tash kemi nisur një seri shkrimesh e bisedash me analistë, përfaqësues politikë, intelektualë… nga Maqedonia, Kosova, Serbia dhe me gjerë, të cilët flasin për pritjet nga ky takim, për dilemat rreth planit evropian, për strategjitë politike, për rregullimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve…/Indeks.mk