Kalaja e Sellcës u bë sot vendtakim i shumë personaliteteve nga skena politike, ish-ushtarë, invalidë të luftës dhe veprimtarë tëc cilët kujtuan 22 vjetorin e pranverës së dinjitetit, gjegjësisht, veprimtarisë së Brigadës 112 “Mujdin Aliu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
I pranishëm në këtë ngajrje ishte dhe kryetari Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i cili në fjalën e tij të rastit, kujtoi të gjithë sakrificën e bashkëluftëtarëve si dhe idealin e përbashkët për liri dhe barazi.
Ahmeti përmes disa fotografive të postuara në faqen e tij zyrtare në Facebook, ndër te tjera shkruan se me gjakun e dëshmorëve ujiten rrënjët e përjetësisë së kombit.
Statusi i plotë:
22 vite më parë nga Malësia e Sharrit lëshuam një kushtrim të fuqishëm lirie, jehuan krismat lajmëtare të pranverës së dinjitetit kombëtar nga ana e Brigadës 112 “Mujdin Aliu” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Sot Kalaja e Sellcës na bëri bashkë me familjarët e dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës për të reflektuar mbi çiltërsinë e kauzës sonë kombëtare, për të nderuar në vendprehjet e tyre të gjithë ata bij e bija që me gjakun e tyre ujiten rrënjët e përjetësisë së kombit dhe për të përkujtuar amanetin e tyre për mbrojtjen e idealeve kombëtare.
Nuk do t’i harroj të gjithë ato nëna guximtare që gatuanin bukë për pjesëtarët e UÇK-së, ato heroina që i dhanë krahë edhe më të fuqishëm luftës sonë çlirimtare.
Qofshim të bashkuar si në pranverën e 2001 në Malësinë e Sharrit edhe tani në betejat e ardhmërisë përparimtare të vendit!
Lavdi e përjetshme të gjithë dëshmorëve të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”!
https://www.facebook.com/AliAhmetiOfficial/posts/751621216332003