10/12/2024

Konsorciumi “Behtel dhe Enka” më 22 prill të këtij viti duhet të fillojë punimet për ndërtimin e akseve Tetovë – Gostivar (17,5 km) Gostivar – Bukojçan (30.3 km) dhe Prilep – Manastir (39,3 km), ndërsa më 12 dhjetor edhe aksi Trebenisht – Strugë – Qafthanë në gjatësi prej 21,7 kilometrash.

Me marrëveshjen që u nënshkrua sot në Qeveri për akset e autostradave me gjatësi të përgjithshme prej 108,8 kilometra në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh, zbatuesi e mori përsipër vetë ose përmes kompanive projektuese vendore njëherësh të projektojë dhe të ndërtojë.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi dhe zëvendëskryeministri Artan Grubi pas nënshkrimit të marrëveshjes kumtuan se në vit mesatarisht do të ndërtohen nga 23 kilometra autostradë, ndërsa çmimi mesatarisht do të jetë 12 milionë euro për një kilometër.

“Plotësisht është respektuar Ligji për kontraktimin e marrëveshjes me partnerin strategjik. Tjetërsimi nuk ka filluar akoma pasi ky është një model i ri ndërtimi i autostradave. “Behtel dhe Enka” edhe do të projektojë edhe do të ndërtojë”, tha Rustemi.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski potencoi se çmimet janë mbuluar në bazë të një studimi fizibiliteti të përgatitur nga Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe është rishikuar nga kompania konsulente Grand Torton.

Me qëllim që të përshpejtohet ndërtimi i korridoreve, siç tha, nga zbatuesi do të aplikohet parimi i “projektimit dhe ndërtimit”, ndërsa kjo nënkupton se me marrëveshjen, zbatuesit i jepet obligimi vetë ose përmes kompanive vendore projektuese në të njëjtën kohë të projektojë dhe të ndërtojë.

I gjithë ndërtimi duhet të zgasë deri në vitin 2027. Plani i propozuar dinamik parasheh afat prej 33 muajsh për ndërtimin e aksit Tetovë – Gostivar, 49 muaj për Trebenishtin – Strugën – Qafthanën dhe 57 muaj për Gostivar – Bukojçan dhe për Prilep – Manastir.

Financimi i projektit është nga Buxheti i shtetit, ndërsa në buxhetin e Ministrisë së Transprotit dhe Lidhjeve këtë vit janë paraparë 15 miliardë denarë ose 244 milionë euro. Planifikohet çdo vit nga Buxheti të ndahen po aq mjete.