Antika është e gjerë, aq e gjerë, sa gjithçka mund të marrë çka të dojë, e besa dikush të tërën, kuptohet për vete…
Nga Daut DAUTI
Ndoshta ende nuk jemi të vetëdijshëm sa e rëndësishme është pllaka me emrin Dardanus, për të cilin arkeologët supozojnë se i takon shekullit të dytë. Vetë emri tregon për dardanët “tanë”, të cilët ka dhe jo pak që mendojnë se s’na përkasin ne! Ne do t’u themi të gjithëve me plot gojë, ja dëshmia për autoktoninë tonë, pa e kuptuar se as ATA nuk e mohojnë ekzistencën e fiseve ilire, përfshirë edhe dardanët, por mohojnë LIDHSHMËRINË e drejtpërdrejtë të tyre me ne. Kjo është esenca. Edhe ato përkime faktografike, i kontestojnë me plot mënyra.
Mohuesit, gjithsesi, s’janë kush tjetër, pos fqinjëve tanë më të afërt që na rrethojnë në tri nga katër anët, jug, lindje dhe veri. Për grekët, antika është e tyre dhe s’duan ta ndajnë me askënd edhe pse marrin prej të tjerëve, për serbët dhe ca historianë maqedonas, shqiptarë nuk ka pasur në gjer sa nuk i kanë sjellë turqit, pra, s’ka çka të flitet për autoktoni, e besa për ilirët, s’jemi të sigurt as me kroatët dhe boshnjakët, të cilët pretendojnë origjinën me ta.
Pikërisht kur u bë e madhe kjo pllaka e këtij “Dardanusi”, më rastisi të shoh në Youtube një Dardanus të kohës sonë, i cili do ta kthejë mbrapshtë gjithë historinë ballkanike dhe të botës mbarë. Emrin vërtet e ka Dardan, mbiemrin e diçka kombinim me venetët, që flet se emri i tij edhe mund të mos jetë origjinal, por një pseudonim artistik dhe flet për gjithë historinë antike sikur të ishte sllave. Gjithë atë që kemi mësuar gjer tani për sllavët si ardhacakë pas shekullit 5, ai e kthen përmbys me tezat e ngjashme të shumë pellazgologëve entuziastë shqiptarë, por ky për t’ua marrë atyre prej dore Pellazgjinë dhe Ilirinë, dhe për ta bërë sllave. Hyni në Youtube dhe kërkojeni Dardan Venetskin dhe do të çuditeni. Zotëriu nuk është historian, po jurist, por me dekada është marrë me “hulumtime” dhe vetë e thotë se i përket “historisë alternative”, asaj që “e kanë fshehur të vërtetën prej nesh”.
Sipas tij, historiografia gjermaniko-nordike e ka falsifikuar të vërtetën për sllavët, të cilët kanë qenë skitë, e më vonë janë quajtur edhe venetë(që përmenden në antikë nga të gjithë autorët), e në shekullin 5 i përmend një autor gjerman si një popull me tri emra venetë, antë dhe sllavë dhe se rishfaqja si sllavë në shekujt 5-6 s’është shfaqje fizike, por vetëm me emër të ri të atyre që deri atëherë kanë qenë në Ballkan. Sllavët janë me rrënjë pellazge, dardani Justiniana Prima i ka familjarët e tij me emra sllavë, kurse shumë pllaka të gjetura nga antika, mund të shpjegohen me alfabetet dhe gjuhë sllave. Dhe ajo që është tronditëse për pellazgologët shqiptarë entuziastë, sllavët kanë origjinë nga pellazgët! Dhe ata janë shtrirë e janë shpërndarë që nga Kreta, përtej Italisë e gjer në Balltik e Rusi, e jo anasjelltas!
Një tollovi e madhe në antikë! Nëse dikujt i duket se e gjithë kjo është shprehje e një amatorizmi, është mashtrim. Se jo Dardan Venetski që mund të merret si një historian nga entuziazmi, por në këto teza për marrjen e antikës, u kyçën në kohën e Gruevskit edhe historianë të vërtetë. Ata mëtuan të tregojnë rrënjët jo sllave përmes antikës, ama fantazia, ose nëse doni edhe erudicioni i këtij zotëriu që e has për herë të parë si emër, i tejkalon ata, sepse na del se gjithë ajo që është shkruar deri tash për ardhje prej pas Karpateve, na qenka shkuarje nga Ballkani përtej Danubit dhe Karpateve dhe shihni, sllavët e këtushëm, bëhen paraardhësit e një populli të madh siç janë rusët, dhe të popujve të tjerë, bjellorusë, çekë, polakë, sllovakë…
“Askush nuk mund ta mohojë faktin se këtu Dardanët kanë jetuar. Dhe ky është fisi Ilir dhe kjo është pjesë shumë vitale e Ilirisë të asaj kohe, edhe pse si shtet nuk ka ekzistuar, por kemi qenë në Romakët dhe më vonë nën Bizantët….” do të thotë Arian Asllanaj, Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore pas zbulimit të pllakës mbi nekropolin dardan gjetur në Shkup, por çka thotë Dardan Venetski se kush kanë qenë dardanët!
Ose të themi se antika është e gjerë, aq e gjerë, saqë gjithkush mund të marrë diçka për vete.
I keqi të ardhtë hakut! “Efektin” e kësaj fjale domethënëse e ndjenë në mënyrën më të vrazhdë tifozët e klubit Vardar, “komitët”. E dini më këtë tifozeri: luan Vardari me ndonjë klub shqiptar, ata gjithë kohën brohorisin duke fyer shqiptarët. Luan klubi i tyre me ndonjë ekip maqedonas, ata prapë me fyerje për shqiptarët. Edhe kur luante kombëtarja e futbollit, ku gjysmën e ekipit e përbënin shqiptarët që kontribotnin për fitoret, ata prapë pa kurrfarë turpi e konsiderate, brohoritnin njësoj!
Në një farë mënyre, i zuri haku ynë. Kur klubit të tyre iu ndalën financat nga sponsori-biznesmeni rus, Samsonenko, erdhën telashet dhe për një kohë të shkurtër, ekipi i tyre ra në Ligë të Dytë. Po përpiqet të rikuperojë veten, por as ndihma e “komitëve” nuk mjafton…Po të njëjtët “komitë” bëjnë tifo edhe për skuadrat e Vardarit në sporte tjera. Kështu vikendin e kaluar ishte luajtur në Beograd ndeshja midis hendbollistëve të Partizanit dhe Vardarit, ku tifozeria nikoqire, “grobari”(varrtarët”) ishin shprehur në mënyrë po aq të poshtër, sa kur “komitat” fyenin shqiptarët. Ata së pari kishin vendosur flamurin grek pranë emrit të klubit të tyre!(një mënyrë e çuditshme ballkanike) në tribunat e sallës i kishte pritur një transparent me tekst të gjatë dhe shumë fyes: “Grup me emër serb, nderon ushtar bullgar, doemos të jetë vështirë me atë kompleks në kokë”! Sqarim: ky “ushtari bullgar”, Goce Dellçevi! Po kështu, “grobarët” e Partizanit e kanë mohuar edhe shtetin e Maqedonisë: “Serbi Jugore, asnjëherë Maqedoni”!
Pas këtyre provokimeve “mikpritëse”, mediat shkruajnë se edhe “komitët” janë përgjigjur ngjashëm. Por mbetet shija e hidhur e çmendurisë tifozerike, e cila nuk ka mënyrë më të mirë për të përkrahur ekipet e veta, pos duke fyer në baza etnike. Është një leksion i mirë “komitëve” nga më të poshtërit se ata, si një lloj hakmarrjeje ndaj urrejtjes që përhapin në fushat e sportit, duke kontribuar bashkë me disa tifozeri të tjera që të mos kemi ndeshje normale, sepse jo vetëm që fyejnë, por dhe shkaktojnë incidente në stadiume dhe jashtë tyre. I keqi të ardhtë hakut, nuk është thënë kot nga populli i urtë!
Është e pritshme që SEHA të marrë masa ndaj tifozëve të Partizanit, por kjo nuk do të thotë se “komitët” kanë mësuar diçka dhe edhe pse të sharë e të fyer nga tifozët serbë, ata do të vazhdojnë prapë me “dhomat e gazit”…! Ju mungon invenca apo intelegjenca për të kuptuar se kush e mohon identitetin e tyre në Ballkan! Çudi që nuk kanë sajuar diçka “poetike” për fqinjët grekë që i detyruan ta ndërrojnë emrin e shtetit, ndaj serbëve që ua mohonin Kishën, apo ndaj bullgarëve që u mohojnë gjithçka! Kapen të gjorët për shqiptarët, që deri tash nuk u kanë mohuar asgjë!
Albini e shpëtoi opozitën kosovare! Me faktin që u pajtua me Planin franko-gjerman, ndonëse formalisht pa e nënshkruar(për shkak se Vuçiqi “nuk” është pajtuar) mori mbi vete gjithë barrën e me të mirat dhe pasojat tjera të planit që do të dalin në shesh më vonë.
Pra, gjithë barra negative që është tjerrë me vite i ra hise atij.
Një analist kosovar para do kohë pat bërë vërejtje se opozita nuk duhet t’i bëjë presion Albinit për ta nënshkruar atë plan, por të kundërtën, të kërkojë më shumë. Që të ndihmohet për ta forcuar pozitën negociuese. Ndërkohë sikur opozita dëgjoi këtë këshillë, dhe iu sul Albinit me akuzë se po pranon diçka më pak seç ka premtuar ai vetë me vite. Dukej në fillim se Albini assesi nuk e pranon një plan të tillë, por ndoshta licitimet me një qeveri tjetër, çfarë sugjeronin deklaratat e Eskobarit, bënë që Albini vendosi të mbetet në proces. Vetëm Ramushi u tregua i gatshëm për të marrë rolin e Albinit, në rast se ai nuk do të pajtohej dhe të ulej ta pranonte planin. Tash pas të hënës, Albini u gjet në “rrugën e tradhtisë” . Kështu thonë disa parti. Isa e pyet edhe presidenten Vjosa Osmani të sqarojë si juriste që është a është në kundërshtim me kushtetutën pika 7. Berati (Buzhala) e quan manipulatorin më të madh që ka pasë ndonjëherë Kosova në krye të saj, e Kreshnik Spahiu, 27 shkurtin, ditë kur do të festojnë serbët!
Kështu hallet e Albinit posa kanë filluar. Asociacioni e pret te dera(këta të huajt kurrsesi të heqin dorë prej saj). Isha ndër ata që mendonin se Albini në një moment do të heqë dorë krejtësisht që t’ia linte përgjegjësinë atyre që thoshin se ai nuk bashkëpunon me miqtë ndërkombëtarë, ndërkaq kur ai në një farë mënyre po bashkëpunon, kritikat vijnë po nga ata që e akuzonin si jobashkëpunues, e të cilët ia kanë lënë trashëgimi këto probleme.
Prandaj po them se Albini shpëtoi opozitën. Edhe pse, ata që sot e shajnë për pranim të një marrëveshje me asociacion dhe pa njohje në qendër(siç zaten ka thënë vetë Albini), çka do të bënin nëse tash do të uleshin në vend të tij? Nuk do ta nënshkruanin?! Këto fjalë thuajani Eskobarit, u tha Albini në Parlament. Ose edhe më saktë, çka i thonë kur takohen me të?
E vetmja logjikë për këtë lloj sjelljeje është fakti se të dy palët kanë mëkatet e veta ndaj njëra tjetrës. Dhe fakti që të gjithë luajnë kukafshehtas, nuk e fsheh të vërtetën se të dy palët, edhe ish opozitari që tash ushtron pushtetin absolut, edhe ish-pushtetarët që ka sot kanë pozicionin komod të opozitarit, e dinë të vërtetën.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)