Sytë nga India, vizita kancelarit gjerman Scholz në Nju Delhi

Vizita dyditore e kancelarit, Olaf Scholz në Nju Delhi i shërben zgjerimit të bashkëpunimit. Kancelari gjerman i vlerësoi marrdhëniet mes Gjermanisë dhe Indisë si “shumë të mira”, por ai shpreson “që këto marrëdhënie shumë të mira të zgjerohen më tej dhe të diskutohet intensivisht për të gjitha temat, që janë të rëndësishme për zhvillimin e vendeve tona dhe për paqen në botë.”

Gjermania e shikon Indinë me 1,4 miliardë banorë si partnere strategjike dhe si vend me shanse të mëdha për angazhimin e kompanive gjermane. Scholz tha se investimet e 1800 kompanive gjermane në këtë vend do të rriten. Gjermania dhe India angazhohen për marrëveshje të tregtisë së lirë mes BE dhe Indisë. India dhe Gjermania që kanë ndërkohë një partneritet bashkëpunimi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekologjik duan të forcojnë së bashku përpjekjet në luftë kundër ndryshimeve të klimës.

Scholz kërkon pozicionim të Indisë ndaj Rusisë

Pas takimit me kryeministrin Modi, Scholz kërkoi një qëndrim të qartë të Indisë në luftën që Rusia filloi në Ukrainë. “Bota vuan nën këtë agresion”, tha Scholz. Lufta është “para së gjithash një katastrofë e madhe”, sepse Rusia shkeli parimet bazë ndërkombëtare, “që kufijtë nuk mund të ndryshohen me dhunë”.

India, e cila nuk e ka dënuar deri më tani sulmin rus është shumë e varur nga Rusia në sektorin energjitik dhe të armatimit. Ky vend nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Edhe të enjten në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, India abstenoi në votimin për rezolutën që kërkon tërheqjen e trupave ruse nga Ukraina. 141 vende nga 193 votuan për rezolutën. Kryeministri i Indisë, Modi u shpreh pas takimit me Scholz në një deklaratë të përbashkët, se qëllimi i Indisë është nxitja e “dialogut dhe Indisë”. Ai është i një mendimi me kancelarin gjerman, se “nevojitet një përmirësim i institucioneve multilaterale për të reflektuar më mirë realitetin global.”/DW

Share post: