07/10/2024

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua edhe me përfaqësues të diasporës në Nju Jork dhe Nju Xhersi.

Gjatë takimeve, Osmani konfirmoi përkushtimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut për forcimin e marrëdhënieve me diasporën, përmes sistemimit të rolit dhe potencialit që kanë pjesëtarët e diasporës në vendet ku jetojnë.

Ministri falënderoi diasporën për aktivitetet për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës, mes tjerash, përmes realizimit të mësimit plotësues në gjuhën amtare. Osmani pati mundësinë të vizitojë edhe klasat ku zhvillohet mësimi.

Ai shprehu mirënjohje për aktivitetet e mëparshme të diasporës në SHBA për lobimin dhe promovimin e interesave të Maqedonisë së Veriut para përfaqësuesve më të lartë të administratës amerikane, elitave politike dhe biznesore, si dhe para grupeve të ndryshme të interesit në shoqërinë amerikane.

“Diaspora kontribuon pozitivisht në imazhin tonë jashtë vendit dhe është një urë e rëndësishme, të cilën ne nuk guxojmë të mos e përdorim. Në kushtet e ndryshimit të theksuar të strukturës së kontigjentit migrues dhe potencialit të tij në rritje. Është jashtëzakonisht e rëndësishme nevoja për një bashkëpunim më të fortë me diasporën”, ka theksuar Osmani në takime.

Ai iu referua në detaje projekteve të realizuara të Ministrisë së Punëve të Jashtme për dy vitet e gjysmë të fundit, edhe si rezultat i apelit dhe interesimit të diasporës. Ai veçoi ndër të tjera digjitalizimin e shërbimeve konsullore (e-konsullata), vendosjen e stacioneve bazë dhe mobile përmes të cilave për një kohë të shkurtër pajisesh me dokumentin e udhëtimit, financimin i projekteve për diasporën dhe përfitimet ekonomike në rast investimi në Maqedoninë e Veriut.

Osmani i njoftoi bashkëbiseduesit edhe për kontekstin e jashtëm politik, dinamikën rajonale dhe përmbushjen e synimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut, ku procesi i anëtarësimit për anëtarësim në BE është me interes parësor.