22/02/2024

Heshtja e Mickoski ndaj deklaratave luftënxitëse të bashkëpartiakut të tij, Aleksandar Nikollovski është aprovim i sërishëm publik i orientimit antishqiptar të VMRO DPME-së dhe demaskim i plotë i qëllimeve të tyre strategjike për acarimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Mesa duket fotografia e liderit të tij, Mickoski me kallashnikov në duar ka frymëzuar Nikollovskin që të përdorë retorikë të urrejtjes ndaj bashkëqytetarëve të tij shqiptar, fjalor i papranueshëm dhe skandaloz për një politikan të kohës së sotme.

Këtë periudhë opinioni ka qenë dëshmitar i një vargu të veprimeve antishqiptare nga VMRO DPMNE, duke filluar nga shpifjet e akuzat pa fakte për udhëheqësit e politikës shqiptare në vend, politikat raciste lokale të bojkotimit të shqiptarëve, për të arritur tashmë deri te tashmë kërcënimet direkte me luftë dhe prishje të rendit publik.

VMRO DPMNE-ja, Levica, të gjithë bashkëpunëtorët e tyre dhe ata shqiptarë që janë vendosur në shërbim të këtyre agjendave, duhet ta dijnë se veprimet e këtilla nuk kalojnë, asnjëherë nuk do të mund ta defokusojnë opinionin dhe vendin nga fryma europiane me gënjeshtra e mashtrime që janë doktrinë e dëshmuar dhe mirë e demaskuar edhe me vendime gjyqësore për krim dhe korrupsion.

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe të gjitha forcat progresive në vend nuk do të lejojnë prishjen e marrëdhënieve të mira ndëretnike të ndërtuara me shumë investim politik vendor dhe ndërkombëtar.