Man. Siti mposht Arsenalin në “Emirates Stadium“ teksa miqtë fituan me shifrat 1-3. “Qytetarët” morën një triumf të vyer përballë rivalëve direkt për titull teksa pas këtij trepikëshi i barazojnë “topçinjtë” në tabelën e klasifikimit, por iu heqin nga duart kryesimin e Premier Ligës.
– Advertisements –
Në minutën e 22-të rasti i artë iu paraqit Nketiah, por sulmuesi gaboi nga fare pranë portës së Edersonit teksa goditja e tij me kokë përfundoi jashtë. Dy minuta më pas, Man. Siti ndëshkoi “topçinjtë” teksa De Brujne shfrytëzoi një pasim të gabuar nga ana e Tomijasu dhe me një parabol mpioshti portierin Ramsdale. Gjithsesi, reagimi i vendasve nuk vonoi dhe në të 39-tën Nketiah fitoi një penallti pas përplasjes me Edersonin. Nga pika e bardhë, Saka nuk gaboi duke barazuar shifrat në 1-1. Ndërkohë, në shtesën e pjesës së parë pati vend edhe për një tjetër rast të Sitit me Rodrin që u ndal nga traversa.
Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll në rezultatin 1-1 ndërsa fraksioni i dytë nisi me një penallti të akorduar për miqtë pas një kontakti të Haaland me Gabriel. U desh ndërhyrja e VAR për të anuluar 11-metërshin pasi norvegjezi ishte në pozicion jashtë loje. Megjithatë, Siti e gjeti rrugën e avantazhit në minutën e 72-të pas një goli të Xhek Grelishit.
Arsenali u mundua të reagonte, por në anën tjetër, të besuarit e trajnerit Pep Guardiola vendosën trepikëshin në kasafortë pas golit të Erling Haaland. Sulmuesi shndërroi në gol një pasim të De Brujne në minutën e 81-të teksa shkoi në kuotën e 26 realizimeve në vitin e tij të parë në Premier Ligë.
Vlen të theksohet se aktualisht Siti ka një ndeshje më shumë se Arsenali, teksa përballja e tyre e radhës në Premier Ligë është paracaktuar të luhet më 26 prill.