10/12/2024

Termi Ahmetist në skenën politike shqiptare për herë të parë u përdor para disa ditësh në një tubim me qytetarë që mbajti Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë – Artan Grubi, si një shenjë dallues e politikës që ndjek BDI për vite me radhë, dhe që dallohet nga partitë tjera.

Analisti politik Xhelal Neziri duke folur mbi fenomenin e plakut të mençur, si dhe veteranit të politikës mbarëkombëtare shqiptare në emisionin “Ballkan Files” në ABC News tha se ky nuk është një term i ri në fjalorin politik kur bëhet fjalë për përshkrimin e filozofisë politike të një lideri politik të cilin ndjekin një pjesë e madhe e elektoratit.

“Është pikërisht tabori që drejtohet nga zoti Ahmeti, tabori që ndjek një politik konsistente. Zoti Grubi përdori termin Ahmetist. Nuk është term i ri nuk është një përshkrim i ri në fjalorin politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë, kur bëhet fjalë për përshkrimin e filozofisë politike të një lideri politik të cilin e ndjekin një pjesë e madhe e elektoratit, apo qytetarëve. Karakterizohet me konsistencë, me qëndrueshmëri dhe me një përkushtim në organizimin e synimeve të cilat i përmban kjo frymë”, deklaroi Neziri.

Ndërkohë Publicistin Arben Ratkoceri është ndalur në misionin politik të Ali Ahmetit. Ai thotë se të gjitha kontestet që e kanë shoqëruar Maqedoninë e Veriut gjatë këtyre viteve, para se gjithash me Greqinë dhe Bullgarinë, z.Ahmeti ka qenë një nga faktorët kyç në zgjidhjen e këtyre kontesteve.

“Nga ana e faktorit ndërkombëtar z.Ahmeti konsiderohet faktori stabilizues dhe nxitës i zgjidhjeve të këtyre kontesteve, gjithnjë në mënyrë të përshpejtimit të integrimeve të Maqedonisë së Veriut. Dimë se në kontestin me Greqinë ishte faktori kryesor zoti Ahmeti që e shtyju këtë proces, madje u angazhua edhe vet në këtë kontest që zgjati mbi 30 vjet. Tani kontesti me Bullgarinë është më i komplikuar se me Greqinë”, thotë Ratkoceri.

Ai shton, se për ta kthyer procesin në binare z.Ahmeti ka future edhe gjithë kapitalin e tij në zgjidhjen e kontestit identitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. (Indeks.mk)