14/07/2024

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajti seancën e 127-të në të cilën miratoi Planin për aktivitete në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së me periudhë të zbatimit nga viti 2023-2033, të propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Pas zhvillimit të suksesshëm të Dialogut Strategjik me SHBA-në (2 qershor 2022), Ministria e Punëve të Jashtme, në koordinim me institucionet e tjera përkatëse, filloi përgatitjen e dokumenteve, që përmbajnë projekte të propozuara për bashkëpunim me SHBA-në (të realizueshme në afat të shkurtër dhe afatgjatë) dhe bazuar në diskutimet dhe mbështetjen e marrë në kuadër të Dialogut Strategjik.

Përcaktimi i projekteve konkrete për bashkëpunim në bazë të bisedave në kuadër të Dialogut Strategjik, i përkthyer në Plan Veprimi, sipas MPJ-së, do të mundësojë dinamizmin e bashkëpunimit dhe mbajtjen sa më të shpejtë të seancës së ardhshme të Dialogut Strategjik.

Ministria e Punëve të Jashtme është e obliguar të monitorojë zbatimin e projekteve të listuara në Plan dhe çdo gjashtë muaj të dorëzojë raport në Qeveri.