09/11/2024

Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se janë miratuar edhe tre projekte të tjera nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut, përmes thirrjes për grante investive në vlerë prej 53.015.968 euro.

“Sot mora një lajm të madh nga Brukseli, të cilin e ndaj menjëherë me ju. Komisioni Evropian miratoi 53.015.968 euro për Maqedoninë e Veriut, për tre projekte të reja për zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investiv për Ballkanin Perëndimor, përkatësisht: Renovimi i gjashtë hidrocentraleve, ndërtimi i një parku me erë në Bogdanci dhe ndërtimi i qendrave rajonale për mbeturina solide në rajonin e Pollogut, Pellagonisë, Vardarit, Jugperëndim dhe Juglindor, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, bëri të ditur zëvendëskryeministri Mariçiq.

Mariçiq, si Koordinator Nacional i IPA-s, konsideron se fondet evropiane dhe ndihma e donatorëve të huaj janë të një rëndësie të madhe për pavarësinë energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit, dy fusha që sjellin një përmirësim serioz të cilësisë së jetës për qytetarët e Maqedonisë.

“Kjo është ndihmë për shtetin që të kryejë reformat, por edhe të arrijë standardet evropiane më shpejt dhe më lehtë duke përmirësuar mjedisin dhe duke përmirësuar infrastrukturën”, thekson Mariçiq.Deri në fund të korrikut të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian miratoi katër projektet e para të investimeve për zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investiv për Ballkanin Perëndimor.