SHBA-ja u bëri thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ta deeskalojnë retorikën e vet dhe shpejtë t’i zgjidhin kontestet bilaterale. Këtë për Zërin e Amerikës e kumtuan nga Departamenti amerikan i Shtetit, duke u përgjigjur në pyetjen se si e komentojnë vendimin e Bullgarisë për ta tërhequr ambasadorin e vet nga Shkupi.
“E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE. SHBA-ja vazhdon ta mbështesë integrimin e plotë euroatlantik të vendit”, thuhet në deklaratën nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Bullgaria javën e kaluar e tërhoqi ambasadorin e vet pas sulmit të sekretarit të klubit bullgar “Borisi i Tretë” në Ohër.
Shefi i diplomacisë bullgare, Nikollaj Milkov atëherë paralajmëroi se ambasadori i tyre do të mbetet në Sofje, gjithnjë derisa, siç tha, nuk regjistrohet përparim në raport me trajtimin e qytetarëve maqedonas me vetëdije bullgare në Maqedoni të Veriut.
Nga MPJ e Maqedonisë së Veriut konfirmuan se ambasadori bullgar, megjithatë kthehet në detyrat e veta diplomatike në Shkup me kapacitet të plotë.