Historiani, shkrimtari si dhe njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi ka dhënë një intervitë për portalin Politiko.mk, me ç’rast ka folur për takimin e të shtunës në Ohër në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Buxhovi thotë se “Nënshkrimi mund të jetë pjesë e ceremonialit, por takimi mund të shpallet i sukeseshëm edhe pa të. Sa për ‘pengesat’, ato tashmë janë të tejkaluara për vetë fatkin se teksti është i panegociueshëm”, sipas tij, plani franko gjerman tashmë është i njohur me shpalljen e parimeve në formën ultimative.
“Në pikën 10 parashihet jetësimi i të gjitha marrëveshjeve të deritanishme, përfshirë edhe Asociacionin. Pika 7 , megjithatë, len mundësi, që në fazën e hartimit të statusit pozita e komunave serbe të disajnohet edhe me elemente të caktuara të autonimisë. Mbetet për t’u parë modelet e ndryshme për të cilat po flitet, po që Kosovës i mbetet që rregullimi i këtyre të mos prek kushtetushmërinë dhe sovranitetin e shtetit”, thotë Buxhovi në intervistë.
Politiko.mk: Çka mund të pritet të shtunën në takimin e radhës midis Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit? A mendoni se ata i kanë tejkaluar pengesat e deritashme për ta vënë nënshkrimin?
Jusuf Buxhovi: Ata tashmë janë pajtuar për parimet themelore, të mbarështruara në formën ultimative “merr, ose lë”. Nënshkrimi mund të jetë pjesë e ceremonialit, por takimi mund të shpallet i sukeseshëm edhe pa të. Sa për “pengesat” që thotni, ato tashmë janë të tejkaluara për vetë faktin se teksti është i panegociueshëm.
Politiko.mk: A mendoni se ka një simbolikë Ohri që BE e zgjodhi si vend për këtë takim, duke kujtuar se pikërisht në Ohër në gusht të vitit 2001 ishte arritur Marrëveshja e njohur e Ohrit që i dha fund një konflikti disa mujor në Maqedoni?
Jusuf Buxhovi: Mund të ketë simbolikë Ohri për vetë faktin se ajo marrëveshje mbylli kapitullin e një konflikti të armatosur dhe hapi rrugën e marrëveshjeve paqësore, ndonëse të pabarabarta për shqiptarët ngaqë nuk ia dolën që të fitojnë statusin e faktorit shtetformues. Pra, fakti që maqedonasit në këtë ndërmjetësim ndërkombëtar ruajtën pozitën e shtetit-komb, mund të jetë indikativ, që edhe Serbia të fitojë pozitën e faktorit rajonal në rrethanat e tanishme gjeopolitike. Ky privilegj, do të përcillet me marrëveshjen që të dy shtetet de fakto pranojnë njëra-tjetrën si të barabarta.
Politiko.mk: A ka gjëra të panjohura Marrëveshja Franko-Gjermane? SHBA-të dhe BE-ja thonë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk ka ingerenca ekzekutive? A mjafton kjo si garancë?
Jusuf Buxhovi: Plani franko-gjerman tashmë është i njohur me shpalljen e parimeve në formën ultimative. Në pikën 10 parashihet jetësimi i të gjitha marrëveshjeve të deritanishme, përfshirë edhe Asociacionin. Pika 7 , megjithatë, len mundësi, që në fazën e hartimit të statusit pozita e komunave serbe të disajnohet edhe me elemente të caktuara të autonimisë. Mbetet për t’u parë modelet e ndryshme për të cilat po flitet, po që Kosovës i mbetet që rregullimi i këtyre të mos prek kushtetushmërinë dhe sovranitetin e shtetit.
Politiko.mk: Si e shikoni “zbutjen” e qëndrimeve të Albin Kurtit kundrejt qëndrimeve që i ka pasur si opozitar lidhur me këto çështje të dialogut, apo mund të jetë vetëm një lëvizje takike për të mos e bllokuar procesin dhe për të mos u akuzuar ai si fajtor për këtë?
Jusuf Buxhovi: Nuk ka kurrëfarë “zbutjesh” të qendrimeve të Kurtit. Ai tash, për ndryshim nga sjellja e tij e derivonshme, si lider partiak me manirët e militantizmit partiak, po sillet si burrshtetas në përputhje me të mundshmën. Kurti, është i vetëdijshëm se puna ka ardhë deri aty kur nuk ka kurrëfarë hapësire manovrimi pos të veprojë në përputhje me diktatin e aleatëve. Kjo paraqet një shans të mirë që ai të kthehet në një burrështetat të përgjegjshëm!
Politiko.mk: “Njohja pa njohje”, është reale apo edhe kjo si një zgjidhje kalimtare që njohja të vijë në ndonjë periudhë të ardhme?
Jusuf Buxhovi: Njohja pa njohe është proces i normalizimit, ku të dy shtetet retorikën e deritanishme e kthejnë në pragmatizëm politik në përputhje me intresat e gjeopolitkës perëndimore.
Politiko.mk: Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës, të presidents dhe kryeministrit deri tash, sikur ka një ndërrim rolesh? Është çështje e demagogjisë politike, lojë ironike midis tyre apo shprehje e realpolitikës?
Jusuf Buxhovi: Opozita (LDK, PDK, AAK) nuk kan kurrëfarë të drejte morale e as politike të qesin bishta, meqë ato janë përgjegjeset kryesore për gjendjen e tanishme të implikimit të politikës së Beogradit në Kosovë. Ajo është dashtë nga viti 2010 të veprojë në përputhje me tapitë shtetërore që i mori nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Sjellja e tanishme e opozitës është për keqardhje, veçmas e LDK-së si parti shtetformuese dhe me merita historike. Ajo duhet të sillet në përputhje me interesin e shtetit dhe jo të çesë shkokla për qëllime elektorale.
