19/04/2026

Çuditërisht, kur gjithçka ishte e përcaktuar tashmë, Paulo Dybala vendosi të refuzojë ofertën monstruoze të Al-Qadsiah dhe të vazhdojë aventurën e tij në kryeqytetin italian. “Faleminderit Roma! Shihemi të dielën”, – shkroi sulmuesi argjentinas në rrjetet e tij sociale, i cili ndryshoi mendje në mënyrë krejt të papritur, pasi iu kishte thënë lamtumirë shokëve të skuadrës gjatë mesditës së djeshme.

Pas tri ditësh, skuadra verdhekuqe do të presë Empolin dhe në dispozicion për këtë ndeshje do të jetë edhe argjentinasi. Mësohet se kthesa e papritur erdhi pas mungesës së marrëveshjes mes Romës dhe Al-Qadsiah për vlerën e kartonit të argjentinasit.

Sulmuesi, i cili i kishte përshëndetur bashkëlojtarët e tij më herët, gjatë ditës, përfundimisht bëri një hap prapa, pas dashurisë së madhe të treguar ndaj tij nga fansat verdhekuq, por edhe zvarritjes së marrëveshjes mes dy klubeve.

Ky është një lajm që ka lumturuar edhe partneren e tij. Oriana Sabatini ka komentuar postimin e sulmuesit argjentinas të lindur në vitin 1994 me gjashtë zemra (“emoji”).