19/04/2026

Klubi i basketbollit, Prishtina, ka thënë se gjyqtarët vendorë duhet të kenë përparësi të gjykojnë në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale.

Sipas reagimit që ka lëshuar ky klub, ndeshjet duhet të gjykohen nga gjyqtarët me integritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë profesional, e kjo sipas tyre garanton gjykim të drejtë.

“KB Sigal Prishtina, ashtu siç ka deklaruar vitin e kaluar dhe para pak kohësh në Kuvendin e Punës së FBK-së, mban qëndrimin se pllejofi, sikurse edhe të gjitha ndeshjet tjera të sezonit, duhet të gjykohen nga gjyqtarët me integritet të plotë moral dhe me autoritet të lartë profesional, e kjo garanton gjykim të drejtë”.

“Me plotësimin e këtyre kushteve përparësi për neve duhen të kenë gjyqtarët vendorë. Kur ka gjykim të drejtë nuk ka rëndësi nacionaliteti, sepse e kemi të freskët rastin skandaloz të gjyqtarëve të huaj grekë, tashmë të suspenduar nga FIBA, me të cilin dëshmohet se tendencat e këqija antisportive dhe korruptive nuk lidhen me nacionalitetin, por me integritetin moral të atyre që për obligim duhet ta kenë ndarjen e drejtësisë dhe kurrsesi favoret e bastoret”.

“Ne jemi në favor të transparencës së plotë edhe sa i takon mënyrës së caktimit të gjyqtarëve për ndeshje. Propozojmë që pasi të jetë plotësuar kushti i integritetit, gjyqtarët të jenë pjesë e shortit në praninë e mediave dhe të dihet saktë se kush janë ata, e jo kjo të lihet në diskrecionin e atyre që këtë punë mund ta bëjnë për interesa ose favore të caktuara”.

“Pra, gjykim të drejtë, gjyqtarë me integritet të plotë dhe short për caktimin e gjyqtarëve të ndeshjes. Me këto kushte të plotësuara, gjyqtarët vendorë duhet të kenë përparësi”.