19/04/2026

Edhe pse me probleme ekonomike, Barcelona refuzoi një ofertë të çmendur nga PSG për talentin Lamin Jamal.

Klubi parisien ishe gati që të paguante 200 mln Euro për kartonin e 16-vjeçarit, që është kthyer në një titullar të padiskutueshëm te blaugranat.

16-vjeçari shikohet si pasardhësi i Kilian Mbapes dhe një investim me rëndësi, në klubin që në dy vitet e fundit ka parë t’i largohen emra si Leo Messi dhe Nejmar.

Sipas sportives spanjolle “MARCA”, menaxheri i futbollistit, Zhorge Mendes udhëtoi në Barcelonë për tu takuar me presidentin e katalansve, Hoan Laporta, e për t’i komunikuar atij interesimin nga klubi parisien.

Por te Barcelona janë të qartë: Lamin Jamal nuk shitet. Atë e shikojnë si futbollistin më të madh që ka prodhuar akademia La Masia, pas Leo Mesit.

Ndërkohë që 16-vjeçari u përgjigj me një tjetër gol me peshë në sfidën në shtëpi kundër Majorkës.

Në 27 takime në La Liga, ai ka realizuar 4 herë dhe ka dhënë edhe 6 asiste.

Pavarësisht shifrës së lartë, talenti i La Masias është i paprekshëm. Tifozët atë e duan dhe një largim i 16-vjeçarit është i papranueshëm nga fansat, të cilët do t’i viheshin kundër drejtuesve.