Andreit i duhet vetëm t’i kalojë disa pengesa burokratike për ta braktisur punën në fabrikë në Transnistri, në rajonin e shkëputur prorus të Moldavisë, dhe ta kapë një armë për t’iu bashkuar bashkatdhetarëve të vet që po luftojnë përkrah forcave pushtuese ruse në shtetin fqinj, Ukrainë.
Andrei, i cili nuk pranoi ta tregojë mbiemrin, tha së fundmi për Shërbimin moldav të Radios Evropa e Lirë se po priste që Konsullata ruse në Tiraspol, kryeqytetin de facto të Transnistrisë, t’ia ripërtërijë pasaportën e skaduar ruse, të cilën e mban bashkë me atë moldave.
Ai thotë se me atë dokument mund të udhëtojë drejt Moskës, ku postimet online i joshin të huajt për të luftuar në luftën e paprovokuar ruse duke i udhëzuar si të aplikojë për t’u rekrutuar në një zyre rekrutimi.
Besohet se 220.000 qytetarë rusë jetojnë në Transnistri i cili u nda nga Moldavia në fillim të viteve ’90 dhe tani është nikoqir i 1.500 trupave ruse.
Andrei tha se shpreson se do t’i bashkohet të ashtuquajturit “detashmenti Dniester”, një njësi mercenare e moldavëve e krijuar nga Alexandr Kalinin, një figurë e errët që është në listën e zezë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA), për shkak të veprimtarisë së tij proruse.
Kalininit iu hoq nënshtetësia moldave për pothuajse arsyet e njëjta dhe për disa të tjera edhe më të këqija, përfshirë kërcënimet së fundmi për ta udhëhequr një grup luftëtarësh në një marsh drejt kryeqytetit Kishinjev, për ta rrëzuar Qeverinë properëndimore të presidentes Maia Sandu.
Kremlini është mbështetur edhe në Forcat e Armatosura të Rusisë dhe në kompanitë ushtarake private për ta kryer luftën në Ukrainë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili përballet me fletarrest si i dyshuar për krime lufte në Ukrainë, e ka lehtësuar punën e letrave për rekrutët dhe ka nxitur, në mënyrë që t’i përforcojë njësitë e forcave të veta ushtarake me luftëtarë të huaj.
Në janar, Putini e nënshkroi një urdhër që ua mundëson shtetasve të huaj të cilët shërbejnë në ushtrinë ruse, apo në “formacione ushtarake”, ta marrin nënshtetësinë ruse për vete dhe për familjarët e vet.
Dhe, duket se më shumë ushtarë i nevojiten Putinit tani, pasi humbjet vazhdojnë të rriten me gjithë përparimin e forcave pushtuese ruse në disa pika përgjatë vijës së frontit mijëra kilometra të gjatë në lindje të Ukrainës.
Rusia i publikon humbjet në luftë tejet rrallë ose hiç. Së fundmi, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më janar 2023 publikoi të dhëna për rreth 6.000 ushtarë rusë të vrarë, por një vlerësim amerikan së fundmi gjeti se numri është shumë më i madh, mbi 300.000 të vrarë.
Edhe Kievi ka ngurruar t’i publikojë humbjen e ushtrisë, megjithëse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 shkurt se 31.000 ushtarë ukrainas janë vrarë prej se Putini e nisi pushtimin e vendit të tij në shkurt 2022.
Andrei, i cili punon për një prodhues dritaresh në Bender, një qytet në perëndim të Tiraspolit, tha se t’i bashkohet njësisë Dniester për të luftuar, për të nënkupton bashkim me “vëllezërit tanë” të cilët “ndajnë mendimet e njëjta” me të.
Aplikacionet për dërgimin e mesazheve si, Telegrami dhe Viberi, përdoren për t’i vënë në shenjë burrat në Transnistri dhe në Gagauzia, një rajon tjetër autonom i Moldavisë ku, sikur në Transnistri, ndjesia proruse është e përhapur dhe e ushqyer nga vendorët e lidhur me Kremlinin.
Së fundmi, trysnia është rritur. Në Transnistri, ku Rusia i ka gati 2.000 trupa të cilat i përshkruan si paqeruajtëse, Parlamenti lokal më 28 shkurt iu lut Rusisë për “mbështetje” të paspecifikuar, duke u ankuar se ka “presion” nga Kishinjevi.
