20/04/2026

Vendi ynë ka politikë të ulët tatimore, vlerëson kryeministri, Dimitar Kovaçevski, sipas të cilit Qeveria nuk po i rrit tatimet, ndërsa me çmimet e garantuara kemi ulje të çmimeve të produkteve bazë. Sipas kryeministrit, çmimet e garantuara po respektohen nga marketet, ndërsa ato kanë ndikuar në uljen e çmimeve prej 10 deri në 30% të produkteve bazë.

“Në listën e produkteve me normë preferenciale, Maqedonia e Veriut ka shkallën më të lartë të produkteve me 5 për qind – 1,600 produkte. Janë të gjitha produkte bazë që përdoren në sasi më të mëdha. Ka një numër të caktuar produktesh, të cilat janë edhe me një normë të autorizuar prej 10 për qind, sepse të mos harrojmë norma bazë e TVSh-së është 18 për qind. Lista e produkteve të konsideruara luksoze është një listë e produkteve të konsideruara jo elementare, kryesisht në familje. Në normën preferenciale prej 10 për qind janë edhe disa prej tyre që nuk janë edhe aq të shëndetshme për popullatën, si patatinat e të tjera, që të gjithë do t’ju thonë se nuk është mirë të jenë pjesë e dietës bazë. Ne mendojmë se kjo është një listë e drejtë.”, – deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Bekteshi: Nuk rritet TVSh-ja për produktet bazë

Nga ana tjetër ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, garanton se asnjë nga produktet me “çmim të garantuar” nuk do të ketë TVSh më të lartë se 5 për qind. Sipas tij, çmimi i këtyre produkteve ushqimore bazë vetëm mund të ulet edhe më tej, por asnjëherë të rritet.

“Asnjë prej produkteve që kanë shenjën për çmim të garantuar nuk do të jetë me TVSh më shumë se 5%. Prandaj më duhet ta informoj opinionin se në rast se është bërë ndonjë gabim teknik nga të punësuarit e Ministrisë së Financave, pra nëse ndonjë prej atyre produkteve gjendet në listë, atë nesër do ta revidojmë.”, – deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

VMRO-DPMNE: Të korrigjohet lista e produkteve me 10% TVSh

Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që lista e produkteve ushqimore me 10% TVSh të korrigjohet menjëherë. Sipas partisë opozitare nuk ekziston asnjë vend në Evropë që në kohë të inflacionit të rris çmimet e produkteve.

“Të rikujtoj se gati 2 javë më parë, ministrat vendosën të dyfishojnë taksën për djathin, gjizën, panxharin, pataten e ëmbël, specin, akulloren, çajin dhe produktet e tjera të përditshme të secilit prej nesh. A janë këto produkte luksi?. Kryeministri fyen qytetarët duke u thënë se po përhapin panik, në vend që të gëzohen se taksa është rritur në 10% dhe jo në 18%. Çfarë fyerje për inteligjencën e popullit!”, – theksoi Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE-ja.

Ndërkohë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se kostoja e jetesës në shtator të këtij viti, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar ka shënuar rritje prej 6,6 për qind, ndërsa çmimet e shitjes me pakicë për 4,7 për qind. Megjithatë shtatori është më i lirë se sa gushti i këtij viti për 0,1 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë ulur për 1,0 për qind.