20/04/2026

Ndoshta në dukje argumenti i vetëm që do të ishte i logjikshëm që çmimi të ndahet me ndonjë “lotari”, ku emri nxirret nga ndonjë kavanoz i qelqtë, me ç’rast Kadareja nuk ka fat! A thua?

Nga Daut DAUTI

Urime Jon Fosses! Nuk e njihni? E po, s’keni faj. Është përkthyer në mbi 50 gjuhë nëpër botë, por asnjë nga 30 dramat e tij nuk është botuar shqip ose vënë në skenë në ndonjë teatër shqiptar. Rastësi, s’kemi ç’i bëjmë. Por ky burrë anonim, 64 vjeçar, është ai që sivjet e fitoi Çmimit të sivjetmë të Nobelit për letërsi dhe është autori i radhës që ia rrëmben Kadaresë. Ndonëse aty në kandidaturat e para, gjithnjë qëndron emri i Kadaresë tonë, na del një anonimes për t’ia rrëmbyer para hunde, që ne, si shqiptarë, të shënojmë me dëshpërim se edhe sivjet ia bënë me hile gjeniut tonë të letrave.
Ne jemi për tonin, se jemi të bindur se e meriton. Nuk kanë ndonjë domethënie arsyetimet si kjo për norvegjezin Jon Olav Fosse se çmimi i është dhënë për dramat dhe prozën që “i japin zë të pathënave”ose se “përzien rrënjësisht gjuhën dhe natyrën e prejardhjes së tij norvegjeze”. Punë e madhe! Fraza që s’ju thonë shumë!Këso arsyetimesh a nuk mund të jepen me dhjetëra për romanet e Ismail Kadaresë. Edhe më bindshëm. Për gërshetimin e mitit me realitetin, me ironinë, sarkazmin, për atë lloj realizmi magjik autentik shqiptar që e ka krijuar Kadareja etj. etj… Gjithsesi…Po pse s’po bëhet kismet që kurora e lavdisë t’i shkojë Kadaresë, i cili ndryshe nga Fosse që ende s’është përkthyer shqip, ka vepra të përkthyera norvegjisht. Kjo sa për statistikë, se sigurisht është i botuar në më shumë gjuhë botërore se vepra e Fosses.

Por, edhe këto numra për statistikë, sepse nuk kemi një peshore që të matim saktë cili rëndon më shumë në tregun e letërsisë.

Në anën tjetër, a ka një paradoks?A thua ka vërtet të drejtë Milaim Zeka se “denoncimi” që i ka bërë një ambasador shqiptar para Akademisë Suedeze si shkrimtar oborri i Enver Hoxhës, është bërë pengesa kryesore?! A i ka mbetur kjo si një njollë ideologjike që në Perëndim nuk mund të kalojë! “No pasaran!”. Apo, më shumë se kjo, është çështja e kritereve që “variojnë” nga rasti në rast, sepse të fitojë çmimin një përkrahës i hegjemonizmit serbomadh, që krimet serbe i konsideron fiktive dhe shpikje të perëndimit, siç ishte austriaku Petar Hendke, nuk duket se ka një konsistencë ndaj çështjeve ideologjike.

Ose, paramendoni këngëtarin Bob Dilan, që mori çmimin para disa vitesh për poezitë e këngëve të tij, ndërkohë që sigurisht në botë ka qindra poetë më të mirë se ai!

Ndoshta në dukje argumenti i vetëm që do të ishte i logjikshëm që çmimi të ndahet me ndonjë “lotari”, ku emri nxirret nga ndonjë kavanoz i qelqtë, me ç’rast Kadareja nuk ka fat! A thua?

E dëgjoja një ditë Ardit Bidon, profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Opinionin e Blendi Fevziut (2 tetor) dhe herë e kuptoja,herë jo përse është aq i shqetësuar. Si të mos shqetësohesh për shqetësimin e një shqiptari të Shqipërisë…

Pastaj, vijnë ca paradokse si fakte, që Ardit Bido i sillte nga terreni. Bie poshtë përshtypja e parë se do të rritet përqindja e grekëve, vllehëve apo maqedonasve/bullgarëve… Jo, deklarimi është i lirë dhe në regjistrim u është dhënë e drejta (anise e pa obligueshme), që të deklarojnë edhe kombësinë, por këtu shqetësimi na qenka nga deklarimi i shqiptarëve si grekë! Dhe pastaj, prej kësaj, na ndryshokan edhe disa çështje tjera, si përqindja në nivel lokal, ku edhe në mjedise ku s’ka realisht grekë, të dalin nga këta shqiptarë të konvertuar mbi 20për qind dhe të futet në përdorim greqishtja apo vllahishtja…

Edhe ky nuk duhet të jetë shkak për shqetësim.

Nga ç’dëgjova prej profesor Bidos, dhe është shqetësim i madh, është se se shteti shqiptar nuk është i pranishëm fare në disa mjedise, qyteza ose katunde, ku edhe tash, pa rezultate të regjistrimit, përdoret greqishtja. Ai nuk tha se po përdoret krahas shqipes, po vetëm greqishtja!!! Ka urdhëruar kështu ndonjë prift a ndonjë kryepar katundi, dhe, vetëm greqishtja në përdorim publik, në katunde, rrugë, deri në plazhe! E kuptojmë që greqisht po, po pse shteti shqiptar lejon vetëm gjuhën e fqinjit pa gjuhën e shtetit! Greqisht, madje dhe në mjedise me shumicë shqiptare! Aq ua ka pirë sorra mendtë së pari banorëve shqiptarë që jetojnë në shtetin e tyre që lejojnë këtë poshtërim, e pastaj dhe pushtetit qendror që nuk e ushtron sovranitetin në çdo cep të tij. Kush do ta akuzonte shtetin shqiptar se pse do ta bënte shqipen “të barabartë” ne territorin e vet me një gjuhë minoritare?!

Nuk kam koment për shqetësimin e Bidos që një numër shqiptarësh ortodoksë, duke gëzuar beneficione nga shteti grek, vendosin të deklarohen si grekë. Nuk e besoj se mund të ndërrojnë qenësisht përqindjen e përgjithshme. Ai që ka vendosur të shitet për pensione ose kushedi çfarë, ose ai që në këtë shekull, mendon se të qenit ortodoks është njësoj si të qenit grek, s’ke si i ndihmon, mungesë vetëdije. Ka gjithandej që duke u nisur nga parimi fetar ka shqiptarë që më afër e ndjejnë grekun, turkun apo italianin, se shqiptarin, por përderisa nuk e ka zhbërë qenien kombëtare në kohëra më të vështira, tash mund ta zhbëjë edhe më pak.

Autoritetet serbe edhe pse mohuan çfarëdo involvimi në Banjskë, e bënë një teatër të vogël farse. E arrestuan organizatorin e grupit terrorist në Banjskë, Millan Radojçiqin dhe për dy ditë e lëshuan. Gjyqi “nuk ia pranoi” Prokurorisë veprat që “ia ngarkoi”, ama megjithatë, nuk e lanë “pa ndëshkim”, ia ndaluan të shkojë në Kosovë! Mbase për t’i ikur drejtësisë atje!
E farsa konsiston me gjithçka t me dyshimet e involvimit serb. Nga mohimi, gjer te pranimi indirekt. Vuçiqi i shpalli gjithçka sajesa, prej armatimit gjer te mjetet teknike. Pastaj kur u zbulua lideri i Listës Serbe, një javë u hamendën si ta mbulojnë turpin dhe e detyruan që të deklarojë vetë Radojçiqin që ta marrë përsipër fajin dhe ta distancojnë nga Lista Serbe. Pastaj organizuan “gjyqin” ndaj tij, për të treguar se Serbia është shtet juridik dhe veprat e këtilla ku vritet një polic, i gjykon. Dhe e përfunduan si e nisën, si hajgare.

Lojën s’e përfundoi as në Kosovë, e nuk e shiti as në Serbi, dhe nuk e impresionoi as botën.

(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)