17/04/2026

Rusia nisi një valë sulmesh me dronë, raketa dhe ajrore në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase. Sulmet nisën teksa Moska përgatitet për festën Ditën e Fitores.

Rreth 61 sulme ajore shënjestruan qytetet e rajoneve Kharkiv, Kherson, Mykolaiv dhe Odesa. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se rreth 52 raketa u hodhën në zonat e populluara të Ukrainës.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës shkatërroi të gjithë 35 dronët Shahed të prodhuar nga Irani që Rusia hodhi. Pesë persona mbetën të plagosur në në kryeqytet ndërsa u shkatërruan një sërë ndërtesash, infrastruktura dhe një depo karburanti.

Administrata ushtarake e Kievit tha se mbeturinat e një droni Iranian ranë në një pistë në aeroportin Zhuliany, por pa shkaktuar viktima. Alarmet për sulm ajror u lëshuan për orë të tëra në afërsisht dy të tretat e Ukrainës dhe shpërthime u dëgjuan gjithashtu edhe në rajonin jugor të Kherson dhe Zaporizhzhian juglindore.

Nga ana tjetër kreu i grupit rus Wagner ka hequr dorë nga planet për të tërhequr forcat e tij nga Bakhmut, në Ukrainën lindore.

Në një mesazh të postuar në kanalin e tij Telegram, Prigozhin u shpreh: “Morëm një urdhër luftarak, për herë të parë në gjithë këtë kohë. Na është premtuar aq municion dhe armë sa na nevojitet për të vazhduar operacionet e mëtejshme. Na është premtuar gjithçka që nevojitet për të parandaluar armikun të na ndërpresë betejën tonë”.

Javën e kaluar kreu Yevgeny Prigozhin fajësoi personalisht krerët e lartë të ushtrisë ruse për humbjet e pësuara nga luftëtarët e tij.

Ndërkaq mbi 1,679 njerëz, përfshirë 660 fëmijë, janë evakuuar nga zonat pranë uzinës bërthamore të Zaporizhzhia.

Kreu i mbikëqyrësit të energjisë bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, ka paralajmëruar se situata rreth uzinës është bërë “potencialisht e rrezikshme” me Ukrainën që pritet të nisë një kundërofensivë të shumëpritur për të rimarrë së shpejti territorin.

Sulmet janë intensifikuar gjithashtu në dy javët e fundit ndaj objektivave të mbajtura nga Rusia, veçanërisht në Krime.

Ukraina nuk ka konfirmuar ndonjë rol në ato sulme, por thotë se shkatërrimi i infrastrukturës së armikut është përgatitje për sulmin e saj të shumëpritur tokësor.

Klan News