18/01/2025

Takimi i 27 Shkurtit në Bruksel mbetet shpresë për adresimin nga BE-ja të gjashtë kushteve të kryeministrit Albin Kurti

Bashkimi Evropian ftoi Prishtinën e Beogradin për të diskutuar mbi një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. Por zyrtarë të partisë në pushtet në Kosovë kanë thënë se në takim do të hapen shumë çështje të tjera.

Një propozim gjashtë pikësh i kryeministrit Kurti, deklaruar në Kuvendin e Kosovës, iu dorëzua BE-së, me të cilin kërkohet edhe ndryshimi i emrit të Asociacionit, por edhe një lloj reciprocitetit të të drejtave të komuniteteve.

Asociacioni u shndërrua në temën qendrore madje njëkohësisht me propozimin franko-gjemran për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

SHBA dhe BE insistuan që ai të themelohet përpara se të arrihet marrëveshja, por Qeveria e Kosovës e cilësoi të papranueshëm një Asociacion një-etnik.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se Serbia me Asociacionin dëshiron ta realizojë synimin e saj për, siç tha, botën serbe.

“Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve, është kërkesë e Serbisë e cila nuk i lejon serbët të integrohen as në Bosnjë Hercegovinë as në Mal të Zi as në Kosovë, sepse dëshiron ta realizojë projektin e Serbisë së Madhe që tash e ka ndërruar emrin në bota serbe”.

Kryeministri Albin Kurti më 2 shkurt në Kuvend kishte prezantuar gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.

6 kushtet e kryeministrit Kurti:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).