Historia e tërmetit të vetëm të parashikuar një ditë më parë

Këtë javë, 6 sizmologë do të dalin në gjyq të akuzuar për vd ekjen e 309 personave si pasojë e tërmetit të vitit 2009 në l’Aquila të Italisë. Prokuroria italiane mendon se shkencëtarët duhet të kishin këshilluar popullsinë për rrezikun nga tërmeti. Por a është e mundur të përcaktohet koha dhe vendndodhja e një tërmeti me saktësi të mjaftueshme për të organizuar një evakuim të banorëve?

Parashikimi i një tërmeti me këtë nivel saktësie është jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të ndryshimit gjeologjik dhe faktorëve të tjerë që janë unikë për çdo vend. Megjithatë, janë bërë shumë përpjekje për të kërkuar sinjale që tregojnë se një tërmet i madh do të ndodhë.

Historikisht është menduar se kafshët janë në gjendje të ndjejnë tërmetet e afërt. Sjellja dukshëm e çrregullt e kafshëve shtëpiake dhe lëvizja masive e kafshëve të egra si minjtë dhe gjarpërinjtë janë vërejtur përpara disa prej tërmeteve të mëdha në të kaluarën.

Pas tërmetit të L’Aquila, studiuesit publikuan një analizë në “Journal of Zoology” duke dokumentuar lëvizjen e pazakontë të bretkosave larg nga kolonia e tyre. Por shkencëtarët nuk kanë qenë dot në gjendje të përdorin këtë si provë për të parashikuar tërmetet. Sjellja e kafshëve ndikohet nga shumë faktorë, duke përfshirë urinë, territorin dhe motin. Kështu lëvizjet e tyre të çrregullta mund t’u atribuohen tërmeteve vetëm pasi ato kanë ndodhur.

Ngjarjet pararendëse
Kur një sasi e madhe “stresi” krijohet në koren e Tokës, ajo kryesisht çlirohet në një tërmet të vetëm të madh. Megjithatë gjithmonë ka disa çarje në shkallë më të vogël që shkatojnë tërmete pararendëse. Këto tërmete të vogla i paraprijnë rreth gjysmës së të gjithë tërmeteve të mëdhenj. Problemi është se ato mund të ndodhin nga ditë deri në muaj përpara goditjes së madhe.

Disa shkencëtarë kanë shkuar aq larg sa janë përpjekur të parashikojnë vendndodhjen e tërmeteve të mëdhenj duke studiuar lëkundjet e vogla. Kjo hipotezë sugjeron se një model rrethor i tërmeteve të vogla pararendëse i paraprin një tërmeti të madh që buron nga qendra e atij rrethi. Gjysma e tërmeteve të mëdha kanë dridhje pararendëse, por vetëm rreth 5% e tërmeteve të vegjël shoqërohen me një tërmet të madh. Pra, edhe nëse ndihen lëkundje të vogla, ky nuk mund të jetë një parashikim i besueshëm se do të pasojë një tërmet i madh dhe shkatërrues.

“Nuk ka asnjë bazë shkencore për të bërë një parashikim”, – thotë Dr. Richard Walker nga Universiteti i Oksfordit.
Në disa raste, nivele të rritura të gazit të radonit janë vërejtur në lidhje me plasaritjen e shkëmbinjve që shkakton tërmete.
Radoni është një gaz natyror, radioaktiv në koren e Tokës që lirohet dhe shpërndahet në ujërat nëntokësore kur këto shkëmbinj thyhen.

Edhe kur shkëmbi plasaritet, mund të krijojë hapësira në kore, nga të cilat mund të rrjedhë në ujërat nëntokësore. Matjet e nivelit të Radonit në ujërat nëntokësore rreth zonave të prirura nga tërmetet tregojnë ndryshime të përbërjes para dhe pas ngjarjeve të mëdha.

Fatkeqësisht për parashikimin e tërmeteve, emetimi i radonit nuk ka ndihmuar pasi ai ndodh edhe kur plasaritet një shkëmb dhe nuk ka tërmet. Në disa vende të botës janë instauar pajisje që masin nivelin e gazrave në ujërat nëntokësore. Sisteme të tilla të paralajmërimit janë instaluar në Japoni, Meksikë dhe Tajvan, ku dendësia e popullsisë dhe rreziku i lartë i tërmeteve përbëjnë një kërcënim të madh për jetën e njerëzve.

Tërmeti i vetëm “i parashikuar”
Por për shkak të natyrës së të gjitha këtyre reaksioneve pararendëse, sistemet mund të ofrojnë vetëm një paralajmërim paraprak deri në 30 sekonda. “Në historinë e studimit të tërmeteve, vetëm një parashikim ka qenë i suksesshëm”, – shpjegon Dr. Walker. Tërmeti me magnitudë 7.3 në vitin 1975 në Haicheng të Kinës së Veriut u parashikua një ditë para se të godiste, duke lejuar autoritetet të urdhëronin evakuimin e qytetit dhe duke shpëtuar shumë jetë.

Por modeli i mbi të cilin bazohej ky parashikim nuk ka rezultuar efektiv në ndonjë tërmet tjetër të madh që atëherë. Vetëm një vit më vonë në 1976-ën një tërmet krejtësisht i paparashikuar me magnitudë 7.8 goditi Tangshan aty afër duke shkaktuar vdekjen e mbi 250 mijë njerëzve.

Prandaj, “parashikimi” i tërmetit të Haicheng ishte thjesht një rastësi fatlume e papërsëritshme. Një problem i madh në parashikimin e tërmeteve është edhe kërcënimi i lëshimit të alarmeve false.

Shkencëtarët mund të paralajmërojnë për një tërmet të madh sa herë që vërehet një ngjarje e mundshme pararendëse, megjithatë kjo rrezikon të pasohet nga një numër i madh alarmesh të rreme, të cilat rëndojnë shërbimet publike dhe në fund zvogëlojnë besimin tek shkencëtarët.

“Tërmetet janë procese komplekse natyrore me mijëra faktorë ndërveprues, gjë që e bën parashikimin e saktë të tyre praktikisht të pamundur”, – tha Dr Walker.

Sizmologët pajtohen se mënyra më e mirë për të kufizuar dëmet dhe humbjet e jetëve që vijnë nga një tërmet i madh është të parashikohen dhe menaxhohen rreziqet afatgjata në një zonë të prirur ndaj tërmeteve. Këtu përfshihet parashikimi i planeve emergjente në raste të shembjes së ndërtesave.

“Kërkimet e detajuara shkencore na kanë treguar se çdo tërmet shfaq karakteristika pothuajse unike, të paraprira nga paragoditje ose dridhje të vogla, ndërsa të tjerë ndodhin pa paralajmërim. Thjesht nuk ka rregulla për t’u përdorur për të parashikuar tërmetet” – thotë Dr. Dan Faulkner në Universitetin e Liverpulit. “Parashikimi i tërmeteve do të bëhet i mundur vetëm me një njohuri të detajuar të procesit të tërmetit. Edhe atëherë, mund të jetë e pamundur” – shton ai. ©LAPSI.al

Share post: