06/02/2025

– Ali Ahmeti nuk ka thënë se ka fituar ndaj popullit maqedonas! Zaten, të politikës shtetërore maqedonase, tash së voni, i kanë pranuar edhe ish-lideri i partisë së Mickovskit e ndonjë tjetër, si një shkurtpamësi dhe shpirtëngushtësi që krijoi krizë të thellë që çoi deri në konfliktin e vitit 2001

/Editorial i portalit indeks.mk/

Në një postim të tij në facebook, më shumë se fjalët e tij të pritura dhe të keqvëna nga një keqointerpretim keqdashës, Hristijan Mickovski sikur don t’i përgjigjet Ali Ahmetit “në të njëjtën mënyrë”: ka dalë me foto me kallashnikov.

Ajo që ka thënë ai, i takon një opozitari, me një plumb, t’i vrajë dy zogj: duke “iu përgjigjur” Ali Ahmetit për atë që (s’)e ka thënë, t’i mëshojë edhe Dimitar Kovaçevskit si partner koalicioni, për t’i thënë, ja se me këtë ke punë(koalicion)!

Në fjalorin e zjarrtë pushtet-opozitë, duket se gjithçka është normale.

Por nuk është normale keqinterpretimi që t’u shtosh fjalëve të Ali Ahmetit atë që s’e ka thënë ai. E ai nuk ka thënë në fjalën e tij se në vitin 2001 ka shënuar fitore “ndaj maqedonasve”, siç mund të lexohet. Ky është një element qenësor që i jep krah manipulimit. Ali Ahmeti ka përmendur fitoren, por fitoren si një qëllim politik.

E para, ai konflikt nuk ka qenë midis popullit maqedonas dhe popullit shqiptar, por i një lëvizjeje apo kryengritjeje organizuar nga një forcë si UÇK, kundrejt politikave të padrejta të pushtetit të Maqedonisë, i cili 10 vjet të tëra nuk ndryshoi asnjë gjë cilësore për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Pra jo populli maqedonas, por parti si VMRO-DPMNE ishin ato që deshëm të krijojnë një koncept shteti “Maqedonia e maqedonasve”. Një dekadë e tërë, asnjë kërkesë e plotësuar, as për gjuhën, as për universitete, as përfaqësim të drejtë. Për këto nuk ishte fajtor populli, por ata qe përfaqësonin atë me politikat e gabuara!

Fitorja e Ali Ahmetit dhe UÇK-së, ishte pikërisht ndaj atyre që e kthyen Maqedoninë prapa(sepse shqiptarëve iu dha më pak të drejta se në kohën e komunizmit). Shqiptarët qenë përpjekur përmes partive politike, por mekanizmi i mbivotimit, ose më saktë, e majorizimit etnik, ishte pjesë e kushtetutës që ishte sjellë pa votën e shqiptarëve.

Zaten, këto gabime të politikës shtetërore maqedonase, tash së voni, i kanë pranuar edhe ish-lideri i partisë së Mickovskit e ndonjë tjetër, si një shkurtpamësi dhe shpirtëngushtësi e mungesë vizioni të politikanëve të atëhershë, që shkaktuan krizë të thellë që çoi deri në konfliktin e vitit 2001. Sepse, siç shihet tash, kur këto gabime janë korrigjuar me Marrëveshjen e Ohrit, që është jo vetëm fitore e shqiptarëve, por edhe një vetëdijesim i përgjitshëm shoqëror. Tash Maqedonia po kalon në një periudhë stabiliteti që e dikton vetë mbyllja e çështjeve të zgjidhura pas kësaj marrëveshjeje, një duhet pranuar, si një fitore të urtësisë politike që mbretëroi më në fund.

Një film amerikan e ka titullin “Lojëra lufte”, kur një çilimi futet në kompjuter dhe përzien “softuerët” militarë të shtetit dhe gjërat komplikohen deri në acarim. Prandaj, ashpërsimi i fjalorit politik me gjëra luftarake, doemos paraqet një manipulim që nuk i shërben askujt. Qëllimet politike të Mickovskit janë legjitime nga këndvështrimi i një lideri opozitar që don ta kthejë partinë e tij në pushtet, por për këtë duhet të punojë me mjete të lejuara dhe jo të bëjë lojëra me simbole luftarake.