E pëson keq Trumpi, gjykatësi nuk e fal – e dënon me një gjobë prej 10,000 dollarësh

Një gjykatës i Nju Jorkut tha të hënën se ish-presidenti Donald Trump shpërfilli autoritetin e gjykatës, duke mos iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme një thirrjeje të lëshuar nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, në kuadër të një hetimi civil mbi bizneset e tij. 

Gjykatësi Arthur Engoron urdhëroi zotin Trump të paguajë një gjobë prej 10,000 dollarësh në ditë. 

“Zoti Trump, e di që ti e merr seriozisht biznesin tënd dhe unë e marr seriozisht detyrën time”, tha gjykatësi Engoron përpara se të jepte vendimin nga gjykata në një sallë gjyqi në Manhatan. 

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, një demokrate, i kishte kërkuar gjykatës ta mbante përgjegjës zotin Trump pasi ai shkeli një afat të caktuar nga gjykata më 31 mars për të dorëzuar dokumentet. Gjykatësi tha se konstatimi për mosrespektim të gjykatës ishte i përshtatshëm sepse zoti Trump dhe avokatët e tij nuk kishin treguar se ishin përpjekur me seriozitet të siguronin dokumentet e kërkuara. 

Ish-presidenti republikan Donald Trump është përballur me prokuroren James në gjykatë për hetimin e saj, të cilin ai e ka quajtur një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht. 

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James.

Prokurorja James ka kryer një hetim të gjatë mbi Organizatën Trump, kompaninë e familjes së ish-presidentit, duke u përqendruar tek ajo që ajo thotë se është një prirje për të mashtruar autoriteteve tatimore mbi vlerën e pronave të tij. 

Vendimi i gjykatësit erdhi pavarësisht nga këmbënguljet e vazhdueshme të avokates së zotit Trump, Alina Habba, se ajo kishte bërë përpjekje të mëdha për të respektuar kërkesën, madje duke udhëtuar në Florida për të pyetur konkretisht zotin Trump nëse ai kishte në posedim ndonjë dokument që ka lidhje me kërkesën e gjykatës. 

“Mocioni për shpërfillje të gjykatës është i papërshtatshëm dhe i gabuar”, tha ajo. “Ai ka respektuar kërkesën e gjykatës… nuk ka më dokumente që mund të dorëzohen nga Presidenti Trump.” 

Zëdhënësit e zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment. 

Hetuesit e prokurores James kanë thënë në dosjet gjyqësore se kanë zbuluar prova se zoti Trump mund të ketë deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e pronave të tij, si ajo e një fushe golfi dhe gradaçelat, në raportet e tij financiare për më shumë se një dekadë. 

Një hetim penal paralel po zhvillohet për këtë çështje nga Prokurori tjetër demokrat i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg./VOA

Të fundit

Xhelal Neziri: Grubi performon dhe duket si kryeministër

Njohësi i rrethanave politike, Xhelal Neziri në Click Plus...

Bekteshi: Mickoski nuk ka ofruar asnjë plan për dalje nga kriza energjetike, ka vetëm fjalë

Në lidhje me ofertën e Hristijan Mickoskit në lidhje...