Radev: Po ndërtoni identitet me baza të falsifikuara, Pendarovski: Radev po spekulon për qëllime politike

Presidentët e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë replikuar në distancë rreth figurës së Ivan Mihajllovit, emrin e të cilit e mban klubi i bullgarëve të Maqedonisë së Veriut i hapur solemnisht javën e kaluar nga kryeministri bullgar Kiril Petkov në Manastir. Presidenti bullgar Rumen Radev, duke iu përgjigjur akuzave për lidhjet e Ivan Mihajllovit me fashizmin, thotë se Mihajllov në fakt i ka thënë ‘Jo’ Hitlerit për nxitjen e luftës vëllavrasëse ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve. Radev madje akuzon se pikërisht në Maqedoninë e atëhershme dhjetëra mijëra bullgarë janë dërguar nëpër kampe fashiste të përqendrimit.

RUMEN RADEV, PRESIDENT I BULLGARISË
“Nëse flasim për fashizëm, duhet të jetë e qartë se Ivan Mihajllov është njeriu i cili e ka refuzuar Hitlerin për përfshirjen e Maqedonisë në luftën vëllavrasëse me Bullgarinë. Jo Ivan Mihajllovi, por njerëz tjerë, pas vendosjes së diktaturës jugosllovene në Maqedoni, vranë dhe dërguan dhjetëra mijëra bullgarë nëpër kampe përqendrimi, vetëm për shkak se vendosën të vazhdojnë të quhen bullgarë. Ky është fashizmi i vërtetë”.

Ndërkohë është përgjigjur presidenti maqedonas Stevo Pendarovski, i cili deklaratat e Radevit i quan gënjeshtra për qëllime politike.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Nuk ekziston asnjë burim relevant i cili do të konfirmonte se 10 mijë njerëz janë vrarë në kampe përqëndrimi në Maqedoni në atë kohë. Asnjë burim, as në historiografinë bullgare, as maqedonase, as botërore. Numri prej 10 mijë gjoja të vrarëve është gënjeshtër. Praktikisht konstruksion i pastërt për qëllime politike”.

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski nga ana tjetër, emërtimi i klubit të bullgarëve të Maqedonisë së Veriut me emrin Ivan Mihajllov paraqet provokim të rëndë dhe nuk ndihmon dialogun mes dy vendeve.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR
“Ajo ngjarje paraqet provokim sepse i ngjall shpirtrat e së kaluarës, pasi bëhet fjalë për personazh që ka qenë bashkëpunëtor i Gjermanisë së Hitlerit dhe Italisë së Musolinit dhe si i tillë aspak nuk mund të kontribuojë si urë për ardhmërinë dhe miqësinë mes dy popujve dhe si urë për rrugën evropiane të shtetit. Kjo ngjarje mund të jetë vetëm provokim që nuk shkon në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të dialogut me marrëveshje të përbashkët”.

Klubi “Ivan Mihajllov” u hap javën e kaluar në Manastir, në prezencën e kryeministrit bullgar Kiril Petkov, zv/presidentes dhe ministres së jashtme të Bullgarisë. Asnjë përfaqësues i Qeverisë nuk mori pjesë në hapjen e klubit, pikërisht për shkak të figurës kontestuese të Ivan Mihajllovit. Delegacioni bullgar u prit me protesta nga disa banorë lokal. /SHENJA/

 

 

Të fundit

Edicioni i pestë i “Skupi Kamerfest”, Ahmeti dhe Grubi takojnë artistët

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka...

Arrestohet shkupjani 20 vjeçar, dyshohet për 6 vjedhje

Dje në ora 19:00, policia ka arrestuar 20 vjeçarin...