Zemërimi i babait për marinsin e “zhdukur” të luftanijes ruse Moskva

Dmitry Shkrebets e di fatin e vërtetë të djalit të tij 20-vjeçar, edhe nëse Rusia nuk ia thotë.

Yegor Shkrebets ishte kuzhinier në bordin e luftanijes Moskva, që lundronte në ujërat e Detit të Zi, kur u raportua se u godit nga dy raketa Neptune të Ukrainës më 13 prill. Moska tha se kjo fatkeqësi ishte shkaktuar nga shpërthimi i municionit.

Luftanija Moskva, pjesë e Flotës detare ruse në Detin e Zi, që kishte në bord afër 500 pjesëtarë të ekuipazhit, u përfshi nga zjarri dhe u fundos në një mot të stuhishëm që mbretëroi një ditë pas sulmit. Anija ishte nisur drejt portit, por u fundos pa mbërritur.

Image

Fotografi e Yegor Shrebets, e postuar nga babai i tij në rrjetin social VKontakte.

Babanë e Yegorit e kontaktuan zyrtarët detarë për t’i thënë se djali i tij nuk kishte vdekur, por ishte në mesin e të “zhdukurve”, por kjo deklaratë atij iu duk e pabesueshme duke pasur parasysh rrethanat.

“I zhdukur në det të hapur?!!!”, shkroi ai në llogarinë e tij në rrjetin social VKontakte.

Pesë ditë pas sulmit mbi Moskvan – anijen më të madhe që është fundosur në 40 vjetët e fundit – fati i ekuipazhit të kësaj anijeje ende është i mbështjellë me mister.

Rusia ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar nëse marinsat kanë vdekur ose sa marinsa kanë vdekur.

Në një deklaratë të lëshuar pak pas incidentit, Rusia tha se kishte evakuuar “plotësisht” ekuipazhin. Megjithatë, në deklaratat pasuese, fjala “plotësisht” nuk u përdor më.

Shkrebets është një prej të paktën katër marinsave që nga Rusia konsiderohen të zhdukur apo të vdekur, bazuar në postimet në rrjetet sociale të anëtarëve të familjeve të pjesëtarëve të ekuipazhit.

Varvara Vakhrusheva shkroi në rrjetet sociale se burri i saj, Ivan Vakhrushev, ishte vrarë në këtë incident. Ajo tha se kishte pranuar një telefonatë nga zyrtarët e Marinës ruse pasditen e 14 prillit.

Image

Ivan Vakhrushev që ka vdekur në luftanijen e fundosur ruse, Moskva.

Komandanti i Përgjithshëm i Marinës ruse, admirali Nikolai Yevmenov, ishte takuar me ekuipazhin e luftanijes Moskva në portin e Sevastopolit më 16 prill.

Në një video të postuar në rrjetet sociale nga ky takim, shfaqen dy rreshta me marinsa, në total prej afër 100 personash. Ende është e paqartë nëse edhe 400 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të luftanijes Moskva janë të plagosur apo të vdekur.

Kurora lulesh janë vendosur në një memorial në Sevastopol dhe sipas postimeve në rrjetet sociale, ato u janë dedikuar “anijes dhe ekuipazhit”, një konfirmim indirekt se ka pasur vdekje në bordin e Moskvas.

Dmitry Shkrebets së bashku me gruan e tij, Irina, kanë shkuar në spitalin e Sevastopolit për të kërkuar trupin e djalit të tyre. Ata panë afër 200 djem të rinj, me plagë të djegieve, por nuk e gjetën djalin e tyre, tha Irina Shkrebetsa.

“Ne kontrolluam çdo fëmijë të djegur. Nuk mund t’iu tregoj se sa e vështirë është, por unë nuk e gjeta djalin tim. Kishte vetëm 200 persona aty, ndërkaq në anije ishin mbi 500 vetë. Ku janë të tjerët?, tha Irina Shkrebetsa gjatë një interviste për The Insider.

Moska ka një histori të gjatë të tentimeve për të fshehur katastrofat dhe çdo incident ku ka viktima, qoftë në kohë lufte apo kohë paqeje.

Në gusht të vitit 2000, një raketë në bordin e ndërtesës bërthamore Kursk shpërtheu, duke vrarë menjëherë shumicën e anëtarëve të ekuipazhit dhe duke e fundosur nëndetësen. Njëzet e tre anëtarë të ekuipazhit, që i shpëtuan shpërthimit, u gjetën në nëndetësen që përfundoi në fund të detit. Kjo tragjedi mori jetën e të 118 marinsave në bord.

Shpërthimi në këtë nëndetëse u regjistrua nga sizmografët në mbarë Evropën, por Marina e Rusisë nuk e pranoi publikisht këtë katastrofë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, që atëherë kishte vetëm tre muaj që kishte marrë mandatin e parë në Kremlin, vazhdoi pushimet në Detin e Zi dhe nuk bëri asnjë deklaratë për nëndetësen Kurst për më shumë se një javë, derisa u kthye në Moskë.

Gjatë luftërave në Çeçeni në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, Moska nuk dha shumë informacione lidhur me numrin e ushtarëve dhe civilëve të vrarë. Njëjtë po ndodh edhe në luftën aktuale në Ukrainë. Rusia zyrtarisht ka pranuar se i janë vrarë më pak se 2,000 ushtarë, pavarësisht dëshmive të shumta që flasin për një numër më të madh të humbjeve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë më herët gjatë këtij muaji kanë thënë se numri i ushtarëve rusë që janë varë në Ukrainë është rreth 10,000.

Në mesin e të vrarëve janë edhe rekrutët rusë, edhe pse Moska fillimisht kishte thënë se ata nuk po shërbenin në luftë. Pasi pranoi se disa ishin dërguar aksidentalisht në Ukrainë, zyrtarët rusë thanë se rekrutët e tjerë janë thirrur që të kthehen në shtëpi.

Megjithatë, Yegor Shkrebets është të paktën një nga katër rekrutët që janë “të zhdukur” pas fundosjes së Moskvas. Yegori, banor i Jaltës në Krime, ishte thirrur në shërbim ushtarak në korrik të vitit të kaluar.

“Mendoj se njerëzit që e lejuan që kjo të ndodhte, duhet të dënohen”, tha Dmitry Shrebets për Radion Evropa e Lirë. “Dhe, si gënjenjë në mënyrë kaq cinike në kanalet televizive se të gjithë janë të gjallë. Si mund të gënjejnë kështu?”.

Shkrebets tha, po ashtu, se është kontaktuar nga familjarët e tre rekrutëve të tjerë që janë të zhdukur dhe se ata i kanë dërguar një kërkesë ushtrisë ruse duke i pyetur se çfarë realisht ka ndodhur me djemtë e tyre.

Uliana Tarasova njoftoi përmes rrjeteve sociale se djali i saj, Mark Tarasov, një marins në bordin e Moskvas, ishte “zhdukur”. Tarasov ishte rekrutuar në dhjetorin e vitit të kaluar.

Image

Mark Tarasov figuron si i zhdukur pas fundosjes së luftanijes ruse Moskva.

Më vonë gjatë atij muaji, Tarasov kishte postuar në Instagram një fotografi të tij në uniformën e marinsit, ka raportuar agjencia e lajmeve Agenstvo.

“Shihemi pas një viti”, kishte shkruar ai poshtë kësaj fotografie./REL

Të fundit

Bekteshi: Mickoski nuk ka ofruar asnjë plan për dalje nga kriza energjetike, ka vetëm fjalë

Në lidhje me ofertën e Hristijan Mickoskit në lidhje...

Bekteshi: I përkas BDI-së, Ahmeti e dha qëndrimin e tij!

Në emisionin Klan Debat, ministri i Ekonomisë – Kreshnik...

Bekteshi: Kjo qeveri ka bërë shumë me Zëvendës kryeministrin e parë Artan Grubi

Në emisionin Klan Debat ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi...