Një strehimore për fëmijët dhe gratë në Lviv

Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, një OJQ ukrainase organizoi një strehë për gratë refugjate në qytetin perëndimor të Lvivit, ku një biznesmen vendas dhuroi zyrën e tij për strehimoren. Gratë me fëmijë qëndrojnë atje për disa ditë përpara se të vazhdojnë udhëtimin e tyre për në Spanjë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anna Kostutschenko ka më shumë hollësi.

Bombardimet ishin të tmerrshme – bombat u hodhën direkt nga avionët. Fillova të bërtas, ‘Julia! Julia!’ Dhe më pas, dëgjova zërin e saj: ‘Jam gjallë’”.

Gjatë bombardimeve ruse të Mariupolit në fillim të marsit, një bombë goditi banesën e Tatianës, një banore rusisht-folëse e qytetit.

“Dëgjova dikë të bërtiste në bodrum – një bombë ka goditur një apartament në katin e 8-të; Ishte banesa jonë. As që u ngjitëm për ta parë, vetëm kaluam gjashtë ditët e ardhshme në bodrum. E vetmja gjë që na ka mbetur për të na kujtuar shtëpinë janë çelësat e banesës”.

Që nga fillimi i marsit, sulmet nga ushtria ruse janë intensifikuar dhe Tatiana e kuptoi shpejt se megjithëse kishte humbur banesën, ajo mund të shpëtonte sërish veten dhe familjen e saj.

“E dinim se duhej të dilnim. Kisha një këmbë të thyer, por gjithsesi vrapova e para. Sepse e dija që nuk mund të qëndroja pas.”

Tatiana thotë se ushtarët rusë nuk i lejonin banorët të largoheshin nga Mariupoli për të shkuar në qytete të tjera në Ukrainë përmes korridoreve humanitare, por në vend të kësaj i detyruan të largoheshin nga qyteti për të udhëtuar në territoret e pushtuara nga Rusia.

“Ne e dinim se ata po çonin njerëz në Volodarsk, në të ashtuquajturën Republika e Donetskut apo në Rusi, nuk jam e sigurt. Por pse? Ne donim të qëndronim në Ukrainë!”, thotë Tatiana.

Tatiana nuk donte të shkonte në Rusi as për falas. Në vend të kësaj, ajo shpenzoi të gjitha paratë për të marrë me qira një makinë dhe për të shkuar në Berdyansk. Atje, vullnetarët e ndihmuan familjen të shkonte në Lviv, ku aktivistja ukrainase për të drejtat e grave Lyubov Maksymovych organizoi një strehimore pranë stacionit të trenit.

“Strehimorja jonë u hap në ditën e dytë të luftës”.

Lyubov Maksymovych ka luftuar për të drejtat e grave për gati 25 vjet. Gjatë kësaj kohe, ajo ka nisur shumë iniciativa për të ndihmuar gratë në rrugët e tyre të karrierës. Por që nga fillimi i pushtimit, zonja Maksymovych ka mbështetur gratë në një mënyrë tjetër.

“Kam një projekt që quhet Siguria Ekonomike për Gratë. Kontaktova me gra me të cilat po punonim në këtë projekt dhe që po përgatiteshin të fillonin një biznes dhe u tregova idenë time për të krijuar një strehimore“.

Një sipërmarrës në Lviv ra dakord të jepte zyrën e tij për nevojat e strehës për gratë e zhvendosura me fëmijë.

“I telefonova dhe i thashë se për shkak të luftës, më duhej një hapësirë ku mund të akomodoj gratë. Dhe ai mu përgjigj “Kam një zyrën time, eja dhe shikoje”.

Që nga fillimi i pushtimit rus, mbi 250 gra me fëmijë kanë gjetur strehë këtu, ku marrin ushqime të ngrohta falas dhe ndihmë psikologjike, nëse kanë nevojë.

Refugjatët ukrainas janë ende në rrezik të bien viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, thotë Lyubov Maksymovych.

“Një luftë e vazhdueshme krijon një rrezik të madh – njerëzit nuk e dinë se ku po shkojnë, disa nuk kanë dokumente me vete.”

Për të mbrojtur gratë nga trafikantët e qenieve njerëzore në kufi, vullnetarët po organizojnë rrugë të centralizuara për në Spanjë, ku gratë vendase mirëpresin gratë ukrainase.

“Ka një marrëveshje midis Konsorciumit të Grave të Ukrainës dhe komunitetit Huelva për të krijuar një strehimore për gratë me fëmijët. Aty grave u ofrohet strehim i përkohshëm apo edhe status refugjati. Por shumica prej tyre, rreth 90%, aplikojnë vetëm për qëndrim të përkohshëm, sepse duan të kthehen në Ukrainë.”

Mesatarisht, gratë kalojnë rreth 2-3 ditë në strehimore, pastaj shumica e tyre vazhdojnë udhëtimin e tyre jashtë vendit. Por Tatiana nuk po nxiton të largohet nga Ukraina./VOA

Të fundit

‘Do hyjmë në grevë urie’, Luçiano Boçi: Të na japin logon e PD-së

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, tha se nëse gjykata...

Imami i Qabesë në Kosovë, Myftiu doli e priti në aeroport

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava...