Kapiteni i Barcelonës presion Real Madridit

Me pesë ditë të mbetu ra deri në “Klasiken” e së dielës ndërmjet Realit dhe Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, mesfushori i katalanasve, Sergio Busquets, ka thënë një intervistë për “Vamos”.

Ai ka treguar se si mbërrin Barcelona në këtë sfidë, teksa kujtojmë se në këtë sezon katalanasit kanë pësuar dy humbje në “Klasike” me Realin, një në fazën e parë në “Camp Nou” dhe tjetrën në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës.

Busquets ka folur edhe për rolin e Ksavit në ekip dhe ndryshimin rrënjësor në skuadër.

Pikërisht duke krahasuar Barcelonën aktuale me atë në Superkupën e Spanjës, Buskets sheh hapa para të ekipit. “Në Superkupë kishim probleme, disa lojtarë vinin nga dëmtimet, ndërkohë që tani skuadra është përforcuar edhe me lojtarë të rinj. Jemi shumë më mirë.

Nuk e di nëse Reali do të jetë më mirë apo jo, por do të shohim një ndeshje të bukur”, ka thënë Buskets. Për Barcelonën përballja me Realin do të jetë një tjetër provë e rëndësishme, si shumë të tjera deri më tani.

“Ne jemi vazhdimisht të sprovuar. Kështu thamë dhe për Napolin, por shkuam atje dhe shënuam katër gola. Duhet të jemi realistë, ne shkojmë për t’i sfiduar në Madrid dhe shpresoj t’ia dalim. Rëndësi ka të ecim në këtë drejtim, pasi po i bëjmë gjërat si duhet”, ka shtuar Buskets.

Mesfushori i Barçës i ka njohur një meritë jo të vogël trajnerit Ksavi në transformimin e ekipit që pas marrjes së drejtimit dhe veçanërisht në vitin 2022.

“Ksavi ka ndryshuar shumë gjëra, mbi të gjitha stilin e lojës. Ai po injekton në skuadër atë stil loje që kishte kur luante vetë.

“Nuk ishte e lehtë në fillim, pasi të paktë ishin lojtarët të mësuar me stilin e tij. Por tani sikur skuadra është ambientuar dhe ka gjetur automatizmat e duhur. Gjithçka është arritur falë këmbënguljes së tij.”

Tani ai ka nisur të vjelë frytet e punës. E rëndësishme është që të gjithë besojnë në idetë e tij”, ka thënë Buskets.

Në fund Buskets ka folur edhe për gjendjen e Realit dhe faktin se madrilenët janë të galvanizuar pas triumfit ndaj Paris SG-së.

“Pres një Real mjaft ambicioz. Sigurisht që kualifikimi në çerekfinale në Champions ka qenë pozitiv për ta, por ndaj nesh do të jetë ndryshe. Gjithsesi, pres që ata të qarkullojnë më shumë topin dhe të bëjnë presion, pasi luajnë para tifozëve të tyre”, ka thënë Busquets.

Të fundit