Shisnin kapsolla elektrodetonatore/ Arrestohen tre të rinj në Durrës

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ditë Vere”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake.

Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. Q., 32 vjeç, lindur dhe banues në Përmet;
Xh. V., 22 vjeç, i dënuar më parë dhe L. B., 18 vjeçe, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, te Shkëmbi i Kavajës, në momentin e shitjes së kapsollave elektrodetonatore.

Shtetasi Xh. V. dhe shtetasja L. D. po qarkullonin me një automjet tip “Audi”, me të cilin kanë shkuar te Shkëmbi i Kavajës, ku i priste shtetasi A. Q., i cili kishte ardhur nga Përmeti dhe kishte me vete një çantë krahu dhe një kuti kartoni brenda të cilave kishte pako me kapsolla elektrodetonatore (gjithsej 2000 copë). Në momentin e shkëmbimit të kapsollave, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit Xh. V. i është gjetur një thikë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2000 kapsolla elektrodetonatore, një xhaketë dhe një pulovër si ato të Policisë (me simbole të Policisë), një kapuç, një thikë, automjeti tip “Audi” dhe 4 aparate celulare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Të fundit

Ishte vetëm 22 vjeç, futbollisti ndërron jetë gjatë seancës stërvitore

Futbollisti kolumbian Andres Balanta ndërroi jetën të martën gjatë...

Këshilli Gjyqësor të hënën do të zgjedhë kryetarin e ri

Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut me...