Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës: Myslim Peza na e fshihte që ishte paguar nga jugosllavët!

Ishte fillimi i viteve ‘80 kur diktatori komunist hidhte në treg me një eufori të shfrenuar kolanën e veprave me kujtime. Të nxitur prej tyre, mjaft liderë të tjerë, nën shembullin e komandantit, nisën të hidhnin në letër bëmat e tyre. I vëmendshëm ndaj kësaj manie, Enver Hoxha mundohej ta kishte nën kontroll, në mënyrë që të gjithë të konvergonin me linjën e kujtimeve të tij.

Ndryshe historia do të bëhej çorap e do dilnin në pazar gjërat që ishin retushuar prej tij. Kjo procedurë me të cilën merreshin redaktorët më të besuar të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, deri diku funksionoi rregullit. Rasti i vetëm ku ngeci ishte momenti kur u paraqitën për botim kujtimet e Myslim Pezës e Haxhi Lleshit. Ata, të plakur e të mënjanuar nga portofolet e rëndësishme politike, por jo nga privilegjet e regjimit, u futën në delirin e kujtimeve, me qëllimin e vetëm për t’u rikthyer edhe një herë në vëmendjen e të tjerëve para vdekjes. Këtë radhë aventura e tyre nuk do ta kapërcente filtrin e laboratorit të censurës.

I njohur me to në dorëshkrim, Enver Hoxha kundërshtoi prerë botimin e tyre dhe aty për aty u kujtua për t’iu rikthyer sjelljes së dy ish-bashkëpunëtorëve të dikurshëm, të cilët mund t’i sillnin probleme të paparashikuara. Nga hulumtimet e bëra rezultonte një situatë kritike. Më në fund zbulohet se Haxhi Lleshi e Myslim Peza nuk janë ata që ka propaganduar Partia, por njerëz me karakter të dyzuar, me qëndrime jo parimore e sjellje negative. Gjithsesi, Enver Hoxhës që i ka zhdukur të gjithë protagonistët e luftës, në rastin e tyre i duhet të bëjë lëshime, së paku për t’i lënë të vdesin ashtu si janë njohur, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Pikërisht këtë histori, diktatori e ka dokumentuar në ditarin që mbante sekret, të rezervuar vetëm për njerëzit e afërt…

DITARI I PANJOHUR

Përveç ditarit zyrtar dhe atij për çështjet ndërkombëtare, të cilët janë zbardhur në serinë e veprave të tij, Enver Hoxha ka mbajtur edhe një ditar tjetër të panjohur e të ruajtur sekret. Deri në fundin e viteve ‘70 ai ka shkruar aty me dorën e vet. Në fillimin e viteve ‘80, kur dora nuk i bindej e ndjehej i pamundur, Enver Hoxha ka “shkruar” me zë, gjithnjë për çështje e tema delikate, që duheshin rezervuar me siglën sekret. I shkërmoqur nga mosha e i tronditur nga goditjet e njëpasnjëshme, diktatori mbyllej në kabinetin e punës e pasi vinte përpara diktofonin e dhuruar nga marksist-leninistët e Perëndimit, fillonte ligjëratën si të komunikonte me një auditor të zgjedhur, duke rrëfyer e tërhequr vërejte për probleme të ndryshme të Partisë e të jetës së vendit.

Është periudha kur sa ka bërë publike “Tablonë Sinoptike” për grupin më të rrezikshëm armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu dhe i paraprin zbulimit të një grupi tjetër. Ato çka flet, me përkujdesjen e afërt të të shoqes Nexhmije Hoxhës, zbardhen brenda ditës dhe në mbrëmje ia kthejnë t’i lexojë edhe një herë. Aty për aty bën vërejtjet e rastit dhe porosit ç’të mbetet e ç’të hiqet nga ditari. Në rastin e kujtimeve të Myslim Pezës e Haxhi Lleshit, të cilat i ka arkivuar në shënimet e datave 21 dhe 22 qershor 1982, Enver Hoxha për herë të parë flet për intriga e orgji të panjohura në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Po çfarë thotë konkretisht…

E HËNË 21 QERSHOR 1982

Me shokët Ramiz (Alia-shënim i red.), Simon (Stefanishënim i red.) dhe Kadri (Hazbiu) bisedova për çështjen e shokut Haxhi Lleshi, i cili nuk është korrekt nga ana morale, gjë që e ka shtyrë në një rrugë të kundërt me shokët që punojnë në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këta të fundit i kanë vënë në dukje qëndrimet armiqësore të një farë D.S. që punon atje dhe që, duke mbajtur Haxhiu (Lleshi) qëndrime jo normale me të, kjo grua po vepron në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor si një provokatore e vërtetë, si një intrigante e përsosur.

E MARTË 22 QERSHOR 1982

Po na lind një shqetësim i ri, i rrezikshëm. Kush e shkakton? Ku është burimi? Në kohën kur zbuluam puçin e Beqir Ballukut e kompani, Haxhi Lleshi u fut në konflikt me gruan e tij dhe me të gjithë fëmijët, djem e vajza. Gruaja e Haxhiut, me prejardhje bajraktarësh (Famija Jegeni ka të arratisur politikë në Jugosllavinë titiste) filloi të flasë hapur me këdo, kundër Haxhiut. Ajo po bën këtë veprim skandaloz kundër Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me Hysninë (Kapon) e thirrëm një herë e dy Haxhinë dhe ia kemi vënë në dukje këto që po ndodhin i thamë të merrte masa, ose të ndalonte që gruaja e tij të izolohej në ndonjë fshat.

Përgjigjja e Haxhiut ishte: “Ku të thotë Partia!” Po në këtë kohë filloi edhe lufta e fëmijëve kundër babës (Haxhiut). Djali i tij R.(që punonte në aparatin e Komitetit Qendror) e akuzoi babën e vet si “tradhtar”. U thirr të shpjegohej, ai nguli këmbë në të tijën. U thirr nga Hysniu, Haxhiu. Ky i tha se nuk ka ç’i bën djalit. Hysniu atëherë i shprehu mendimin: Nuk e dërgojmë dhe këtë në fshat të punojë tok me nënën e vet, gruan e Haxhiut?! Ky si zakonisht, ishte dakord duke thënë “Si të thotë Partia!” Kështu u mbyll kjo çështje, megjithatë mbeti e dyshimtë për ne. Ku ishin shkaqet?! Kaluan vitra. Marrëdhëniet e Myslim Pezës me Haxhi Lleshin, si kurdoherë ishin të shkëlqyeshme, pa asnjë re. Por gjatë vitit të fundit, papritur e pa kujtuar, filloi të vërehej qielli i kësaj miqësie. Myslim Pezës, që Partia dhe unë ia kemi vënë shumë mirë në dukje rolin që ka lozur në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, i hipi në kokë që në moshën 80 e ca vjeçare dhe i verbër nga sytë, të shkruajë kujtime në “Tri vëllime”.

Ai u mur vesh me Haxhi Lleshin, i cili i rekomandoi që të vinte t’ia regjistronte në shtëpi sekretarja e tij. Dhe kështu u bë. Filloi regjistrimi, por Myslimi nuk “kish durim”, ky donte t’ia shtypte këto sa më shpejt. Pse? Nuk dihet. Myslimi u zemërua dhe u shpreh se “kjo grua nuk është e mirë, regjistrimet e kujtimeve të mia ajo po i mban në sirtar, pse kërkon t’i përdorë edhe Haxhi Lleshi për veten e tij”. Në fakt, edhe Haxhi Lleshi kishte filluar regjistrimin e kujtimeve të veta. Të dy po vepronin paralelisht dhe të dyja palëve po ua regjistronte këto kujtime e njëjta grua D.S

Myslimi kërkoi me zemërim t’i dorëzoheshin regjistrimet e tij, pse mendonte që “Haxhiu po i hante bukën”. Iu morën regjistrimet kësaj gruaje, e cila nguli këmbë të mos i jepte, pastaj u urdhërua me protesta në Komitetin Qendror. Myslimit iu dha një person tjetër nga Partia për të vazhduar regjistrimin dhe ky ia regjistroi, ia zbardhi, iu dha një kopje aparatit të Komitetit Qendror të Partisë dhe një kopje iu dha vetë Myslimit. Ky priste që Komiteti Qendror t’ia dërgonte shtypit, por kjo punë po vonohej. Atëherë Myslim Peza shpejt e shpejt ia dërgoi këto Ndërmarrjes së Botimeve, ku personi i ngarkuar me këtë punë, duke i lexuar “këto kujtime”, vuri duart në kokë nga përmbajtja, prandaj lajmëroi Komitetin Qendror të Partisë.

Këto kujtime po studioheshin në këtë kohë nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë, që kishte ardhur në konkluzionin se nuk mund të shtypeshin, pse kishin të bënin me një histori plot aventura të Myslimit, që ai i konsideronte si akte “heroizmi, patriotizmi” etj., deri në fillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur ai mori kontakt me ne. As ngjarjet historike të Pezës, që janë vepër e Partisë, as lufta e pezakëve nuk përmëndeshin në këto rregjistrime, bile vetë lufta e Myslimit errësohet aty me gojën e tij, jo vetëm me mendime ët çoroditura individuale, subjektiviste, të përsëritura, duke u futur në cikërrimat e katundit e të fshatrave, por çka është më e rëndësishmja, në këto materiale janë rregjistruar pjesë që kanë të bëjnë me plot aventura të Myslimit në emigracion, në Jugosllavinë e kralëve të Sërbisë. Në këtë pjesë të jetës së tij Myslimi tregon se merrte para nga jugosllavët, se këta i kishin propozuar ta bënin agjent, po ai “nuk pranoi”. Megjithëatë jugosllavët, tregon aty Myslimi, vazhdonin ti jepnin rrogë.

Kur Myslimi ish akoma në Shqipëri, në kohën e Zogut, Legata Jugosllave i dha 500 napolona, “po Myslimi nuk i mori ato në dorë, por hallexhia” Dhe Myslimi vazhdon të tregojë kështu mbi propozimet për të bashkëpunuar kundër Zogut me Gani Kryeziun, familjen e Lleshit (Haxhiut), apo me Irfan Ohrin. Me ndihmën e serbëve Myslimi zgjodhi kështu familjen e Lleshajve, familje “me shumë autoritet në Jugosllavi dhe në Beograd” Atje ai u njoh me Haxhi Lleshin dhe vazhdojnë të tregohen aventurat e të dyve që i ka rregjistruar me gojën e tij. Gjatë gjithë jetës dhe punës që bëmë së toku me Myslimin, asnjëherë ky nuk më ka folur për këto ngjarje të jetës së tij.

Pse i mbante ai fshehur këto ngjarje nga unë dhe nga Partia? Pse i nxjerr tash në këtë kohë, kur zbuluam komplotin e Mehmet Shehut? Mos kërkon t’i dalë rrezikut përpara? Mos ka frikë se ia zbulojnë të tjerët? Me këto kujtime që Myslimi kërkon t’i shtypë me këmbëngulje, ky errëson vetë figurën e tij që ia ngritën lart Partia dhe lufta. Po t’i lejojmë ne të shtypen këto aventura të Myslim Pezës, atëherë i kemi dhënë një armë në dorë armikut dhe opinionit: “Me të tillë njerëz ka bashkëpunuar Partia? Po ne nuk do t’ia japim këtë sadisfaksion as Myslimit, as jugosllavëve. Ne do të bëjmë çmos që Myslim Peza ta ngrysë jetën kështu siç është, me të këqijat dhe të mirat e tij.

Enveri, Myslim Pezës në ‘79: Ti, heroi i të gjitha epokave

Ndërsa në shfaqjet publike Enver Hoxha artikulonte merita të jashtzakonshme për Myslim Pezën duke e etiketuar “tribun të madh popullor” dhe “atdhetar të flakt”, në rrethe të ngushta shprehte rezerva, madje dhe opinione përbuzëse për “plakun e ccorientuar” dhe liderin e “pompuar nga propaganda e partisë”. Gjithsesi, diktatorit ja deshi puna ta emëronte vazhdimisht në krye të organeve të larta shtetërore, fillimisht zëvendëskryetar të qeverisë së parë komuniste, të ashtuquajtut “qeveria demokratike” dhe që nga viti 1946 e deri në 1982, zëvendëskryetar të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në 2 maj të vitit 1979, gjatë një ceremonie zyrtare Enver Hoxha i dorëzoi me dorën e tij Myslim Pezës dekoratën me titullin “Hero i Punës Socialiste”. Përkundër shënimeve të ditarit sekret të vitit 82, ku Peza anatemohet nga diktatori si njeri i ccekuibluar, në ceremoninë e 79-tës, nuk ka rreshtur për të fluksi i konsideratave pozitive. Më poshtë po botojmë përshëndetjen e Enverit me rastin e dekorimit të Pezës…

“Këtë titull nuk ta japim se je më i moshuari nga ne, por ky ka një kuptim të madh politik për ato që thashë dhe për veprimin tënd që në kohën e Zogut, kur dhe sinjalin e revoltës dhe vrave pikërisht Osman Balin, torturuesin dhe vrasësin e Haxhi Qamilit, shërbëtorin e Vërlacit e të Ahmet Zogut. Gjesti yt trimëror e burrëror, s’ishte një gjest i thjeshtë hakmarrës ose terrorist, por një gjest politik sepse ai simbolizonte dorën e fshtarësisë sonë patriote që ngrihej kundër tiranëve. Ty këmba – këmbës të ndoqi regjimi i Zogut, prandaj u detyrove të shkoje në mërgim, ku jetove si patriot shqiptar dhe i ndershëm në gjirin e shqiptarëve që jetonin nën varfërinë e kralëve serbe.

Ti ashtu jetove, por mendjen e kishe në Pezë, në Shqipërinë e dashur që vuante, pavarësisht se në krye kishte një mbret që vetë emrin kishte shqiptar, sepse në fakt ai ishte i huaj, i shitur, tradhtar, njeriu i të gjitha të këqiave për popullin tonë fisnik e të shumëvuajtur. Më ka njohur me ty miku yt dhe i imi patrioti Esat Dishnica. Kemi kaluar ditë të vështira bashkë, por edhe ccaste të lumtura kur kemi parë zhvillimin e vendit në rrugën e partisë e të marksizëm-leninizmit…” (gazeta “Zëri i Popullit” 3 maj 1979).

Të fundit

Sa orë gjumë duhet të bëjnë bebet?

Rekomandimet për orët e nevojshme të gjumit tek fëmijët...