Ja si ndikon moti i ftohtë mbi trupin e njeriut

Pavarësisht nëse preferoni plazhet apo e kundërta, shumica nga ne duhet të përballen me një rënie të temperaturës gjatë stinës së dimrit. Nga jashtë, ju përgatiteni për mëngjeset më të ftohta duke u veshur më trashë. Ndërsa nga brenda, trupi juaj nis të përshtatet sipas mënyrës  së vet.

Për shembull për 4-6 për qind të njerëzve, një moti më i ftohtë nënkupton probleme psikologjike. Çrregullimi emocional sezonal (SAD), është një gjendje që shfaqet shpesh në fund të vjeshtës dhe gjatë dimrit, kur mungesa e dritës së diellit, shkakton simptoma të rënda depresive.

Ndërsa shkaku i saktë është ende i paqartë, disa studime sugjerojnë se nivelet e ulëta të vitaminës D, një vitaminë që e marrim zakonisht nga rrezet e Diellit, lidhet me një rrezik në rritje të prekjes nga kjo simptomë. Por SAD është vetëm maja e ajsbergut.

Gjatë temperaturave më të ulëta, ngushtohen rrugët e sipërme të frymëmarrjes, pasi trupi i njeriut po përpiqet të ngrohet, thotë Shruti Gohil, asistent/profesoreshë e sëmundjeve infektive në Universitetin e Kalifornisë, Shkolla e Mjekësisë Irvajn.

Për të shmangur humbjen e nxehtësisë, trupi juaj ngushton enët e gjakut në çdo sipërfaqe që ndërvepron me mjedisin e ftohtë, sikurse janë mushkëritë. Përveç kësaj, shumica e valëve të të ftohtit shoqërohen me një lagështi më të ulët.

Frymëmarrja në atë ajër të thatë e të ftohtë, mund të ngushtojë më tej rrugët tuaja të sipërme të frymëmarrjes, duke shkaktuar kollitje dhe gulçim. Ky shtrëngim e bën më të vështirë që qelizat e bardha të gjakut të udhëtojnë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe të luftojnë patogjenët e ndryshëm që depërtojnë në trup.

Dhe në luftën ndaj patogjenëve, ajri i thatë mund të ndryshojë edhe aftësinë e qelizave në mukozën e rrugëve tuaja të frymëmarrjes, duke krijuar një përgjigje imune efektive kundër viruseve të frymëmarrjes. Kur ajri ka pak lagështirë, viruset kanë më shumë shanse që të lidhen me receptorëve të rrugëve të frymëmarrjes, duke ju bërë kësisoj më të prirur për t’u sëmurur.

“Një nga arsyet pse prekemi aq shpesh nga infeksionet virale sezonale, është se sa më e ulët të jetë temperatura, aq më i ashpër mund të jetë mjedisi”-thotë Gohil. Ka disa prova që e lidhin temperaturën e ulët me rritjen e transmetimit të koronavirusit, ndonëse ajo thekson është shumë herët për të sugjeruar që të gjithë viruset e ajrit përhapen më lehtë në temperatura më të ftohta:

“Kjo ndodh sepse në një mot më të ftohtë, ju qëndroni më shumë në ambiente të mbyllura. dhe në kontakt me familjen tuaj”– shton ajo. Këto janë disa nga arsyet pse ajri i ftohtë dhe i thatë, mund ta përkeqësojë shëndetin e njerëzve me sëmundje ekzistuese të mushkërive si pneumonia dhe sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD). Ndaj kur temperaturat jashtë janë shumë të ulëta, merrni parasysh kufizimin e qëndrimit jashtë. Dhe nëse e keni të domosdoshme të dilni jashtë, vishni një shall, apo një maskë për mbrojtje.

Muskujt dhe kyçet

Xhejms Sushi, specialist i mjekësisë sportive në Institutin Ortopedik Hoag në Kaliforninë Jugore, SHBA, thotë se disa pacientë raportojnë dhimbje gjatë ndryshimit të motit. Por ai thekson se ka ende shumë debate, nëse është i ftohti ai që e shkakton vërtet dhimbjen e muskujve dhe kyçeve.

“Shumë nga hulumtimet e kryera mbi këtë çështje, kanë qenë relativisht jo përfundimtare, ose kanë pasur një numër të vogël pacientësh të përfshirë. Ndërkohë, ka pasur dallime në mënyrën se si mblidhen të dhënat, dhe debatohet ene nëse është një mënyrë e besueshme për të mbledhur informacione”- shpjegon Sushi.

Për shkak se shumica e studimeve janë korrelative, dhe moti i ftohtë është një variabël i vështirë (në mos i pamundur) për t’u kontrolluar, ekziston gjithmonë mundësia që diçka të ndikojë tek rezultatet.

Së pari, ndryshimet e motit mund të ndikojnë tek ajo se sa aktiv mund të jetë një njeri. “Nëse është mot me diell, ndoshta do të dëshironi të dilni jashtë, dhe të qëndroni fizikisht aktivë, gjë që mban në lëvizje kyçet, dhe nga ana tjetër, ndihmon në reduktimin e ngurtësisë dhe shqetësimeve. Por nëse bie shi, mund të ndiheni më pak të motivuar për t’u stërvitur, dhe do të doni të rrini brenda”- thotë Sushi.

Natyrisht, nevojiten më shumë kërkime për ta konfirmuar këtë marrëdhënie. Ndonëse ka disa prova se të rriturit në moshë madhore të diagnostikuar me artrit dhe dhimbje kronike, mund të përjetojnë më shumë dhimbje me ndryshimin e temperaturave.

Për më tepër, një studim tjetër i vitit 2017, zbuloi se njerëzit që punonin shpesh jashtë, ishin më të rrezikuar të prekeshin nga artritit reumatoid kur punonin në një mjedis të ftohtë.

“Nuk ka ndonjë shpjegim të saktë se pse lëndohen kyçet. Por nëse ka, disa spekulojnë se kjo gjë ndodh për shkak se moti i ftohtë mund t’i ekspozojë më shumë receptorë nervorë të ndjeshëm ndaj luhatjeve të presionit, dhe mund të shkaktojë zgjerimin apo tkurrjen e hapësirës së mbyllur të kyçeve përmes vrimave të ekspozuara brenda kërceve. Ndryshimet e temperaturës, mund të ndryshojnë gjithashtu ngurtësinë dhe dobësinë e tendinave dhe ligamenteve”-thekson Sushi.

Hormonet dhe shëndeti mendor

Njerëzit, ashtu si lulet, ndihen shumë më mirë nën rrezet e Diellit. Mjaftojnë vetëm disa minuta në Diell, që truri ynë të çlirojë serotoninë, hormonin që përfshihet në rregullimin e emocioneve. Por kur ditët bëhen më të errëta, kalimi më pak kohë në dritën e Diellit, sinjalizon një ndryshim në gjendjen tonë psikologjike dhe shpirtërore.

Me më pak serotoninë në trup, ne mund të përjetojmë më shumë ankth, depresion dhe mungesë energjie. Ditët më të errëta, reduktojnë edhe nivelet e melatoninës në trupin e njeriut, shpjegon Naomi Torres-Meki, kreu i kërkimit në Koalicionin e Shëndetit Mendor, dhe një studente post-doktorale e psikologjisë klinike në spitalin Lenoks Hill.

I njohur si “hormoni i gjumit”, melatonina prodhohet nga gjëndra pineale, si një sinjal për t’i treguar trupit tuaj se është koha për të fjetur. Nivelet e këtij hormoni bien kur ekspozoheni ndaj dritës së diellit, dhe natyrisht rriten sërish gjatë natës.

Por gjatë netëve më të gjata të dimrit, trupi prodhon më shumë metatoninë, duke ju bërë që të ndiheni më të përgjumur gjatë gjithë ditës, dhe duke e bërë më të vështirë që të flini në kohën e zgjimit. Moti i ftohtë, ka një efekt të tërthortë edhe mbi shëndetin tonë mendor, pasi kalojmë më shumë kohë në ambiente të mbyllura.

Torres-Meki thotë se kur është shumë ftohtë për të qëndruar jashtë, e kemi më të vështirë të përfshiheni në gjëra që janë të dobishme për shëndetin mendor, si aktiviteti fizik dhe socializimi me të tjerët jashtë shtëpisë. Por kjo nuk do të thotë se dimri është i gjithë i zymtë ​​dhe sfilitës.

Torres-Meki është një nga shumë njerëz që e shijojnë stinën e dimrit, dhe sidomos kur bie borë. Ajo thotë se loja në dëborë mund të rrisë mirëqenien mendore të të rriturve, pasi inkurajon lojën, dhe tenton të rindezë tek njeriu kujtime të mira të këtij sezoni.

“Kur mendoni për një ditë me borë, ju ndoshta ju shkon mendja tek pezullimi i shkollës, të qendruarit në shtëpi, konsumimi i një filxhani me kakao të nxehtë, për lojërat me top bore, udhëtimet me saja, ndërtimin e “njeriut prej dëbore” dhe përvoja të tjera të fëmijërisë”- thotë ajo, duke shtuar se ditët me dëborë mund të ndihmojnë gjithashtu në ndërtimin e lidhjeve sociale, pasi na kujtojnë që t’i bëjmë të gjitha këto gjëra me miqtë dhe familjen.

Të fundit

Kriza energjetike, Rama: Ndihma e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor mos të ketë diferenca

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit të Komunitet...

Bekteshi: Nesër takim me kompaninë për furnizim me gaz natyror

Ekipi qeveritar i Maqedonisë i udhëhequr nga kryeministri Dimitar...

Masat e reja anti-krizë, Bekteshi: Do të ndihmohen qytetarët dhe kompanitë që prodhojnë ushqime bazë

Ministria e Ekonomisë ka filluar komunikimin me kompanitë e...